Vizita e Blinken në Tiranë, Rama: Tregues se ku e kemi ngritur Shqipërinë në arenën ndërkombëtare

Kreu i qeverisë Edi Rama, në një deklaratë për mediat pas mbledhjes së Asamblesë së PS komentoi dhe ardhjen e Sekretarit të Shtetit Amerikan, Antony Blinken në Tiranë duke thënë se ka një domethënie të veçantë, për vetë faktin se bota ndodhet në një situatë të vështirë.
Mes tjerash, Rama nënvizoi se vizita e tij në Tiranë tregon se ku e kemi ngritur Shqipërinë në arenën ndërkombëtare dhe çfarë përfaqëson vendi ynë në sytë e aleatëve tanë strategjikë.
“Në radhë të parë besoj që ka një domethënie të veçantë ardhja e sekretarit të shtetit në Tiranë për kontekstin në të cilën sot ndodhet Evropa dhe bota, për kohën shumë të ngarkuar për një sekretar shteti që fakti se gjen të nevojshme dhe vendos në axhendën e tij të ndalet në kryeqytetin shqiptar si pikë referimi për rajonin flet në mënyrë të posaçme për ku e kemi ngritur Shqipërinë në arenën ndërkombëtare dhe çfarë përfaqëson sot në sytë e aleatëve tanë lidhur me këtë rajon.
Me krenari e them se Shqipëria është forca e shembullit për të ndërtuar paqen, rrugën e bashkëpunimit, për të ndërtuar një të ardhme të përbashkët dhe për t’u ndarë nga një e kaluar me tragjedi, prapambetje, me raste të pafundura të humbura për t’i lënë një vend më të mirë gjeneratave të tjera”, tha Rama.