Historiani kinematografik tregon si përzgjidheshin filmat në kohën e Enver Hoxhës

Zoti Abaz Hoxha, sot 93 vjeç erdhi në emisionin Shqip nga Rudina Xhunga në DritareTv për të na treguar jetën e tij këto 9 dekada e pak. Në pjesën e parë të emisionit, zoti Hoxha na tregoi për kohën kur luftonte si partizan, arrestimin e babait nga Enver Hoxha dhe shumë të tjera. Ndërsa në pjesën e dytë foli për jetën dhe punën si kryeinxhinier në Kinostudio. Zoti Hoxha tregon për gazetaren Rudina Xhunga se si përzgjidheshin filmat që do të dilnin në premierë, në kohën e komunizmit.

“Unë isha kryeinxhinier në Kinostudio dhe drejtoja sektorin e kinemave. Një ditë më merr në telefon drejtori i kinemave të Tiranës. Do mbyll kinematë, më thotë se nuk ka filma për premierë. Unë sapo kisha marrë filmat “Helena e Trojës” dhe “Rroftë Zapata”, që të dy filma të shkëlqyer. Por atëherë ekzistonte një rregull. Para se të nxirreshin filmat në premierë, duhet t’i miratonte edhe Ministria e Arsimit dhe Kulturës. Unë mora zëvendësministrin që të vinte të shihte filma. Fillimisht pamë filmin “Rroftë Zapata” dhe pasi mbaroi më tha: ka fe në film, ishte trupi i Zapatës te burimi.

Ndërsa unë i thashë që nuk ka gjë më simbolike që vihet trupi i një revolucionari mbi burim. Nuk më dha përgjigje, ta nxirrnim filmin apo jo. Kur pa filmin “Helena e Trojës” tha që ka shumë skena erotike, orgji. I presim disa i thosha unë. Iku dhe nuk më dha asnjë përgjigje. Unë mora iniciativën dhe i nxora vetë filmat në premierë, nuk ndryshova asgjë. Po ju tregoj dhe një rast tjetër. Erdhi drejtor i Kinostudios Vaskë Aristidhi dhe ai ishte ndihmës i Ramiz Alisë. Meqë kishte bërë liceun francez, ai shkonte kontraktonte filmat jashtë, merrte literaturën, lexonte përmbajtjet e filmave dhe shkonte te Ramiz Alia dhe e bisedonin. Praktikisht ai i importonte filmat, pastaj përgjegjësinë për nxjerrjen e filmave ma linte mua.

Megjithëse e kundërshtova, më mbeti si përgjegjësi. Mora një herë filmin “Bel Ami”. Ata e kishin hequr nga qarkullimi, unë e vendosa, por ata e hoqën sërish. Kam shpëtuar për një qime. Sekretarët e rinisë së qendrave të punës ishin kundër nxjerrjes së këtij filmi, ndërsa sekretarët e rinisë së shkollave ishin pro. Kështu që unë e hodha filmin. Mendoja deri sa ishte botuar romani në Shqipëri, pse nuk mund të jepej filmi. Megjithatë ma hoqën pas një jave.”, tregon zoti Hoxha ndër të tjera.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT