Raporti i Bankës Botërore: Klima e investimeve në Ballkan, ku renditet Shqipëria

Shqipëria nuk ka strategji të qarta për tu promovuar ndaj investitorëve të huaj dhe si rezultat është paraqitur më dobët se vendet e tjera të rajonit në këtë drejtim në një vlerësim që ka bërë Banka Botërore.

Institucioni financiar ndërkombëtar bëri vitin e kaluar një anketim në të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor për të vlerësuar klimën e investimeve dhe mundësitë për përmirësime në të ardhmen.

Sipas Bankës Botërore, kompanitë që veprojnë në Shqipëri, Bosnje dhe Kosovë dhanë vlerësime të dobëta për performancën e qeverisë në lidhje me tërheqjen dhe promovimin e investimeve.

Problemet kryesore që evidenton raporti i vlerësimit kryesisht në Shqipëri, por edhe në vendet e tjera të rajonit, janë strategjitë e paqarta të investimeve kombëtare dhe në disa raste paparashikueshmëria në politikat e taksave dhe stimujve fiskalë.

Në Shqipëri 53 % e investitorëve mendojnë se incentivat për taksimin e korporatave janë shumë të varfra.

Kurse në vendet e tjera të Rajonit si Bosnjë, Kosovë, Maqedoni, Serbi dhe Mali i Zi, masa paraqitet shumë më e ulët.

Përsa i përket shërbimeve publike ndaj investitorëve, kompanitë e huaja kishin vlerësim negativ për Shqipërinë.

Përveç Maqedonisë dhe Serbisë, kompanitë në shumicën e ekonomive dhanë vlerësime të dobëta për cilësinë e shërbimeve nga agjencitë e promovimit të investimeve ose ofruesit e tjerë qeveritarë të shërbimeve për investitorët. Në Shqipëri dhe Kosovë gati gjysma e kompanive të anketuara zbuluan se performanca e qeverisë ishte e dobët ose shumë e dobët.

Për kompanitë e huaja në Rajon ajo çfarë i jep siguri për të investuar është pasja e një Strategjie Kombëtare për investimet e huaja; Parashikueshmëri e politikave tatimore; Disponueshmëri e stimujve për taksat doganore ose TVSH-në e importit.

Investitorët në Malin e Zi, ndryshe nga vendet e tjera të rajonit kanë dhënë vlerësimet më të larta në lidhje me stimujt që qeveria aplikon për kompanitë e huaja.

Rreth 60% e kompanive në Shqipëri dhe Mal të Zi kanë shfaqur shqetësim të lartë për mungesën parashikueshmërisë së politikave fiskale në raport me vendet e tjera.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT