Kurti pas kritikave të SHBA nga O’Brien për dinarin: BQK-ja është e pavarur, jemi shtet demokratik

Përkundër kritikave të ashpra nga Ndihmës-sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, për ndalimin e përdorimit të dinarit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë para gazetarëve në Prizren se marrëdhëniet me ShBA-në “nuk janë duke u rrezikuar”.

“Republika e Kosovës nuk ka partner aleat edhe mik sikurse ShBA-të, kështu e konsideroj dhe bashkëpunoj si kryeministër i Kosovës. Banka Qendrore e Kosovës ka prezantuar një plan 10-pikësh për zbatimin e rregullores së saj. Ne jemi një Republikë demokratike, Qeveria nuk u mbivendoset institucioneve të pavarura siç është BQK-ja”, tha Kurti.

Ai ka theksuar se në mesin e këtyre 10 pikave si plan pune për zbatimin e rregullores BQK nuk ka paraparë asnjë masë ndëshkuese, derisa ka shtuar se pa ndëshkim dhe pa incidente duam të ecim përpara.

“Kushtetutshmëria dhe ligjshmëria janë prioritet i uni, por njëkohësisht ne kujdesemi edhe paqe e siguri, kujdesemi edhe për mirëqenien e qytetarëve serbë. Unë jam kryeministër që nuk dëshiron që qytetarët të kenë më pak para por të kenë më shumë. BQK-ja ia ka dërguar një letër Bakës Tradicionale të Serbisë, shpresojmë që ata të përgjigjen”.

Ai ka shtuar se nuk beson që qytetarët serb a kanë problem largimin e dinarit, por sipas tij, Beogradi zyrtar që nuk na e pranon as pavarësinë e as krimet e kryera para 25-vjetëve, “është ai që sjellë këso alarmimesh para apokaliptike”.

“Si për BQK-në, si për shtetndërtimin tonë demokratik, si për sistemin tonë financiar ne i jemi falënderues ShBA-së që kanë kontribuar për gjatë këtyre, 25 vjetëve të Kosovës së çliruar”, potencoi Kurti.

Ndryshe, me tone kritike, i ashpër dhe me gjuhë të drejtpërdrejtë e jo diplomatike, ka qenë Ndihmës-Sekretari amerikan i Shtetit, James O’Brien, kur është pyetur për Qeverinë e Kosovës, por në anën tjetër ai e ka lavdëruar Qeverinë e Serbisë, duke thënë se “ka bërë dy hapa të rëndësishëm të njohjes de facto të Kosovës”.

Sipas O’Brien, qeveria serbe ka punuar drejt njohjes de facto dhe drejt normalizimit.

Ai ka përmendur targat dhe vulat doganore si shenja që Serbia është brenda kuadrit të zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit me 27 shkurt dhe Ohrit me 18 mars.

“Dua të theksoj se qysh nga tetori, Serbia ka bërë dy hapa të rëndësishëm të normalizimit apo të njohjes de facto të Kosovës, përmes zbatimit të targave të makinave dhe dokumenteve doganore”, tha O’Brien në intervistën e tij për Zërin e Amerikës.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT