Monopoli i patriotizmit! Për Kurtin, Ramën dhe kryeshtetin amë

Nga Artan Duka
Botuar në DITA
Rama ka të drejtë kur gjykon se thirrja e mbledhjes së Këshillit të Sigurimit në OKB nga Serbia për çështjen e dinarit në Kosovë ishte e pakuptimtë por ndërkohë, tjetër gjë është thirrja e saj dhe tjetër gjë ajo që ndodhi gjatë saj.
Serbia nuk surprizoi kënd me tentativën tek KS. E ka bërë natyrë të dytë t’a shndërrojë paradoksin në normalitet dhe pret, në absurdin e saj, që edhe bota t’a quajë të zezën të bardhë kur dihet historikisht se shkaku i tensioneve dhe i konflikteve në rajon mbetet shovinizmi sërb.
Megjithatë, ndonse cilësohet e pakuptimtë thirrja e tij, mbledhja e KS mori kuptim sepse rikonfirmoi para botës mbarë se Sërbia zyrtare mbetet po ajo. Nuk njeh realitetin por fabrikon një të rremë që e shet më pas si fakt e normalitet por që i shndërrohet në bumerang kur pret që edhe bota t’a pranojë si të tillë!
Ndonëse Sërbia nga njëra anë nuk e pranon Kosovën si realitet dhe quan krahinë të saj, nga ana tjetër ajo pranon botërisht se e ka të pamundur t’a trajtojë atë si çështje të brëndëshme (qasje tipike e shteteve autokrate) ndaj dhe duke u kuturisur e trokitur në derën e KS ajo pranon indirekt se nuk ka autoritet atje dhe Kosova është shtet në punën e vet!
Dhe kjo qasje, mbase është e pakuptimtë për Sërbinë që ia fut vetes por merr shumë kuptim për Kosovën sepse reklamon e fakton para KS shtetësinë e saj.
Ndonëse mbledhja e KS cilësohet e pakuptimtë në thirrjen e saj, ajo pati kuptim sepse Kosova zuri vënd në tryezë dhe pati rastin e foli dhe mbrojti qasjen e saj jo vetëm duke treguar anën tjetër të medaljes në lidhje me dinarin sërb por dhe kontekstin e gjërë e historik të problematikave të së shkuarës në rajon duke i rikujtuar botës mbarë se hendeku mes vlerave perëndimore e atyre autokratike e bartësve të tyre mbetet po aq dramatik sa edhe më parë. Me këtë mbledhje Sërbia i dha mikrofonin Kosovës dhe kjo në vetvete i dha kuptim këtij takimi ku për Kosovën, foli vetë Kosova!
Ky takim në KS pati kuptim kur mendon se Sërbia u nis të vinte vetulla por nxorri sytë teksa Kosova ia doli t’i artikulonte sërisht të vërtetat historike këtë herë në atë podium të lartë. Politika zyrtare e Tiranës duhet t’a përshëndeste këtë gjë, përtej një citimi në median sociale, sepse të vërtetat shqiptare në podiumet e botës, pavarësisht se thuhen nga Tirana apo Prishtina zyrtare, peshojnë njëlloj dhe politikanët shqiptarë pa dallim duhet të inkurajojnë e përgëzojnë njëri-tjetrin sa herë përmënden ato.
Të lëna rrugës!
Rama vetë ka thënë botërisht plot të vërteta për padrejtësitë në rajon. Në Beograd, Këshillin e Europës, OKB e kudo ku ka patur mundësinë dhe është përshëndetur nga të gjithë. Por të vërtetat e patriotizmi nuk kanë “patentë” apo të drejtë autori dhe Tirana e Prishtina zyrtare nuk duhet të krijojnë përshtypjen se janë në garë protagonizmi për to!
Të vërtetat historike që bota duhet të dëgjojë janë të shumta e të përbashkëta nga Kosova, Lugina, Çamëria etj dhe ato bien më shumë në sy e dëgjohen më mirë kur thuhen me një zë.
Bota shqiptare në rajon lyp koordinim të përpjekjeve për pohimin e të vërtetave historike dhe etapat drejt korrigjimit të padrejtësive shekullore. Rasti i Ballkanit të Hapur le të shërbejë si mësim për të ardhmen për të mos bërë gjërat fakt pa u këshilluar me njëri-tjetrin më parë. Pavarësisht se si formulë ai mund të afirmonte entitetin e Kosovës në rajon, dëshirës së mirë e arsyes së hapjes së tregjeve e lëvizjes së popullsisë (si thelb i vetë BE) ku e vetmja e ndarë mes shtetesh është ajo shqiptare, ai nuk e pati të gjatë sepse Kosova nuk u bë pjesë e tij.
Kjo ngriti pikëpyetje për largpamësinë e Tiranës zyrtare që u ul gjatë në tryezë e humbi kohë të vyer me Sërbinë ndërkohë që Kosova refuzoi në parim.
Ballkani i Hapur mund të ishte vërtet një mekanizëm i dobishëm përafrimi ndaj integrimit në BE sa kohë Sërbia nuk do të ishte ajo që është. Në parim rreziku ekonomik nga hapja e tregjeve të pabarabarta nuk ka pse të jetë arsye kundër tij.
Do të ndodhë një ditë kur mbarë rajoni të jetë në BE dhe fajin nuk na e ka kush, as BE, që nuk kemi industri e jemi katandisur në vënd tregtarësh dhe hanxhish bujtinash me turizmin që po derdhet “lumë”! Vetëm nëse i themi JO edhe vetë BE!
Ballkani i Hapur dështoi sepse Tirana e Prishtina nuk u bënë një dhe kjo ngre rëndësinë e “vetos” mes nesh për çdo projekt që prek botën shqiptare në rajon. Për fat të mirë, sot Prishtina zyrtare ka zërin e saj dhe kjo i mundëson Tiranës dhe Prishtinës së bashku të flasin më me forcë për kauzat shqiptare në gadishullin Ilirik në rradhë të parë Luginën e Preshevës, Sanxhakun etj nën Sërbi dhe Çamërinë, arvanitasit e shqiptarët në Greqi.
Nëse Sërbia flet në emër të sërbëve në Kosovë e Greqia në emër të minoritetit në jug, Prishtina e Tirana duhet të flasin në emër të shqiptarëve në Luginë, Sanxhak e kudo në Sërbi dhe Çamëri, arvanitas e shqiptarë në Greqi duke kërkuar reciprocitet qoftë në organizim e vetadministrim lokal, shkollim, financime, monedha në qarkullim etj.
Kryeshteti amë!
Për shqiptarët në Luginë sot tok Kosova e Shqipëria janë shtete amë. Por nëse Sërbia refuzon të diskutojë në parim për reciprocitet me Kosovën sepse nuk e njeh atë, atëhere roli i Tiranës është vendimtar dhe detyrim historik për reciprocitetin me të drejtat e shqiptarëve ende nën Sërbi dhe lobimi ndaj aleatëve tanë për to, deri edhe thirrja e një mbledhjeje të KS në OKB, do të kishte vërtet kuptim.
Rolin e kryeshtetit amë Tirana duhet t’a dëshmojë edhe ndaj fatit të kauzës kuq e zi në Greqi. Sikurse me Sërbinë dikur, edhe me Greqinë Rama e nisi me letra të hapura por sot për Çamërinë e arvanitasit nuk po pipëtihet më ndërkohë që Greqia nuk le rast ordiner të kalojë pa krijuar probleme për integrimin drejt BE. Greqia e di se futja në BE do të hapë kufijtë e kutinë e Pandorës bashkë për të drejtat shekullore shqiptare të mohuara padrejtësisht ndaj dhe “belerët” nuk do të sosen dhe nëse është e thënë që integrimi drejt BE të merret peng pafundësisht nga Greqia, të paktën të dihet botërisht se po ndodh për të drejtat tona historike dhe jo “tymueset” greke që maskojnë padrejtësitë e së shkuarës ndaj nesh.
Patriotizmi nuk është pengesë drejt BE (rasti i Kroacisë deri Sërbia para nesh drejt BE pavarësisht shovinizmit të saj) ndaj dhe politikë e mënçur nuk është të lëshosh pe për të patur perëndimin pas. Do të ishte e kollajtë por poshtëruese, deri antikombëtare nëse tenton të fshehë paudhësi e abuzim me pushtetin e garanci perëndimore për të vijuar me të. Politikë e mënçur dhe atdhetare është të mbrosh të drejtat e tua duke e patur perëndimin pas duke folur si duhet e bindur atë.
Sot kemi dy shtete amë shqiptare në gadishullin Ilirik dhe integrimi para se të fillojë nga bota, fillon nga vetja. Dje ishte Rama, së fundi ishte rradha e Kurtit të shpaloste botërisht të vërtetat e rajonit në OKB. Kushdo që ka rradhën e flet nesër, flet në emër e duhet përshëndetur nga të gjithë.
Dhe sa kohë flitet për të drejtat tona kombëtare, çdo tryezë, mbledhje apo takim, merr kuptim!