“E vrau Putin”/ Gruaja e Navalny-t akuzon publikisht presidentin rus: E helmoi me “Novichok”, po fshehin trupin që…

Teksa trupi i tij mbetet ende “rrugëve”, gjithmonë e më shumë po shtohen zërat se Alexei Navalny u vra me urdhër të presidentit rus Vladimir Putin.
Këto zëra i ka përforëcuar sot edhe bashkëshortja e tij, teksa ka publikuar një video ku fajëson publikisht Putin.
“Përshëndetje, unë jam Julia Navalnaya. Dikush tjetër duhet të ishte në vendin tim, por ai u vra nga Vladimir Putin. Diku në një burg në Rrethin Arktik, Putini jo vetëm që vrau Alexei Navalny si person, ai donte të vriste shpresën tonë, lirinë, të ardhmen tonë.”- shprehet ajo.
Ajo akuzoi autoritetet ruse se po fshehin trupin e burrit të saj, sepse po presin që gjurmët e helmit novichok që i morën jetën, të zhduken nga trupi i tij. Në video, e veja e Navalny zotohet gjithashtu se do të bëjë publike emrat e personave të përfshirë në vdekjen e bashkëshortit të saj dhe arsyen pse ai dha frymën e fundit në “burgun e ujkut”.
“Unë dua të jetoj në një Rusi të lirë, dua të krijoj një Rusi të lirë, do të vazhdoj punën e Alexei Navalny. Unë nuk kam frikë, mos ki as ti. Ju ftoj të qëndroni pranë meje, të mos ndajmë vetëm trishtimin dhe dhimbjen që na ka përqafuar. Ju ftoj të ndani tërbimin dhe urrejtjen për ata që guxuan të vrasin të ardhmen tonë. Unë ju flas me fjalët e Alekseit, të cilat i besoj vërtet. Nuk ka turp të bësh pak ose aspak, të lejosh që të të trembin. Ajo që na duhet është një Rusi e lirë, paqësore dhe e lumtur. Rusia e mrekullueshme e së ardhmes që burri im ëndërronte. Kjo është ajo që na duhet.”, tha gruaja e Navalny.
Deklaratat e vejushës së Navalny pasuan njoftimin nga përfaqësuesi i Alexei Navalny se nëna e tij dhe avokati i saj u penguan të shikonin trupin e politikanit 48-vjeçar rus të hënën në mëngjes në morgun ku thuhet se ishte dërguar.