UNESCO tha se amerikanët nuk e menaxhojnë dot Butrintin, Gonxhe: Do zbatojmë ligjin!

Ministri i Ekonomiës, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ka reaguar në lidhje me thirrjen e UNESCO për qeverinë shqiptare për çështjen “Butrinti”.
Agjencia e Kombeve të Bashkuara për trashëgiminë botërore, UNESCO- thotë në një raport për Parkun më të njohur Kombëtar në Shqipëri, Butrintin se vetëm themelimi i Fondacionit nuk mund të përmbushë rekomandimet për menaxhimim e integruar të Butrintit dhe u rekomandon autoriteteve shqiptare, Ministrisë së Kulturës që të ruajë autoritetin tërësor të kësaj pasurie botërore dhe jo vetëm të një pjese të saj.
Edhe pse ka kaluar më shumë se 1 javë, për këtë shqetësim të ngritur në raportin e UNESCO ka reaguar Ministri përgjegjës për kulturën, Blendi Gonxhja.
Gonxhja në reagimin e tij shkuran se siguron opinionit publik për angazhimin dhe vëmendjen maksimale për mirëadministrimin e procesit sfidues të ndryshimit të modelit të menaxhimit të pasurisë kulturore universale të Parkut Kombëtar të Butrintit.
Nga ana tjetër UNESCO rekomandon që Ministria e Kulturës të ketë autoritet mbi të gjithë këtë pasuri botërore, duke theksuar se vetëm themelimi i Fondacionit nuk mund të përmbushë rekomandimet për menaxhimin e integruar të këtij parku.
Raporti i UNESCO-s është përgatitut në tetor të vitit të kaluar, por qeveria shqiptare nuk kishte dhënë pëlqimin e saj që ai të bëhej publik.
Ka qenë Zëri i Amerikës, që siguroi raportin pranë Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore në bazë të ligjit për të drejtën e informimit
Reagimi i plotë i Ministrit
“Për Butrintin
Në cilësinë e Ministrit përgjegjës për trashëgiminë kulturore dhe njëkohësisht si Kryetar i Bordit Drejtues të Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit (për shkak të funksionit), siguroj opinionin publik për angazhimin dhe vëmendjen maksimale për mirëadministrimin e procesit sfidues të ndryshimit të modelit të menaxhimit të pasurisë kulturore universale të Parkut Kombëtar të Butrintit, në zbatim të plotë të standardeve ndërkombëtare dhe të kuadrit ligjor shqiptar në fuqi.
Unë dhe ekipi vlerësojmë gjithashtu rolin e AADF në bashkëpunimin e shkëlqyer për arritjen e parakushteve optimale në mbështetjen e BMF për investimin e çmuar në përthithjen e ekspertizës më të mirë bashkëkohore, teknike e profesionale, të denjë për rëndësinë e pasurisë botërore në fjalë, dhe të domosdoshme për suksesin e kësaj ndërmarrjeje të jashtëzakonshme ku shteti shqiptar është lider, në të mirën e interesit publik dhe ku kryefjala do të jetë transparenca dhe gjithëpërfshirja!”
Raporti i UNESCO-ICOMOS ngre shqetësim të thellë për heqjen nga Parku i Butrintit të rreth 600 hektarëve ku në një pjesë po ndërtohet aktualisht një resort dhe u kërkon autoriteteve shqiptare të dorëzojnë me urgjencë në UNESCO një plan të qartë masash për mbrojtjen e Parkut Kombëtar të Butrintit.
Raporti i përbashkët i UNESCO-ICOMOS, dërguar tek autoritetet shqiptare tetorin e vitit të shkuar paraqet kritika të forta për rishikimin e kufijve të Parkut Kombëtare të Butrintit pa venë në dijeni UNESCON dhe për mos sigurimin e menaxhimit të integruar të Butrintit siç kanë kërkuar misionet e mëpardhsme të organizatës botërore që kanë monitoruar Butrintin.
Misioni i Unescos thotë në raport se se “ përveç krijimit të Fondacionit të ri të Menaxhimit të Butrintit, asnjë propozim tjetër për sigurimin e zbatimit të Planit të Menaxhimit nuk u prezantua gjatë misionit nga autoritetet shqiptare”.
“Vetëm themelimi i Fondacionit nuk mund të përmbushë rekomandimet e misioneve të mëparshme, të Komiteti i Trashëgimisë Botërore dhe vetë Planit të menaxhimit për një menaxhim të integruar të Butritnit, thuhet në raport.
Një marrëveshje mes ministrisë shqiptare të kulturës dhe fondacionit shqiptaro amerikan të zhvillimit (AADF) për krijimin e një fondacioni për menaxhimin e Butrintit përfshin vetëm njërën zonë të parkut të butrintit të njohur si zona A3, ku ndodhet pjësa më e madhe e qytetit antik, duke lënë jashtë tre zona të tjera pjesë e parkut kombëtar të Butritntit.
Misioni i UNESCOS rekomandon në raport se për të siguruar mbrojtjen dhe ruajtjen e vlerave universale të kësaj pasuri botërore dhe integritetin e saj Ministria e Kulturës duhet të ruajë mbikëqyrjen e menaxhimit të të gjithë pasurisë së Trashëgimisë Botërore, jo vetëm të një pjese të saj.
Misioni thotë në raport se konfirmoi heqjen së fundi nga Parku Kombëtar i Butrintit të rreth 600 hektarëve nga zona B afër Ksamil ku aktualisht është në ndërtim e sipër një kompleks turistik rezidencial.
Sipas misionit “heqja e 600 ha nga Parku Kombëtar, nuk është njoftuar në Qendrën e Trashëgimisë Botërore dhe përfaqëson një ndryshim në regjimin mbrojtës të një pjese të ndjeshme të zonës tampon dhe ndoshta edhe të një pjese të vogël të pronës së Trashëgimisë Botërore që tani shtrihet jashtë kufijve të Parkut Kombëtar”.
Misoni i ka bërë të njohur autoriteteve shqiptare se pret një kërkesë zyrtare pranë Unesco-s për këtë ndryshim të ndërmarrë nga qeveria shqiptare pa dijeninë e organizatës.
Misioni u ka kërkaur autoriteteve shqiptare si çështje urgjente, që t`i sqarojnë Qendrës së Trashëgimisë Botërore se cilat janë masat e mbrojtjes aktualisht për të gjithë pronën e Trashëgimisë Botërore që përfshihet në Parkun e Butrintit dhe zonën e saj tampon brenda kufijve të parkut.
Qeveria shqiptare ka vendosur që menaxhimi i Parkut Kombëtar të Butrintit të kryhet nga një fondacion i krijuar nga Ministria e Kulturës dhe Fondacioni shqiptaro ameirkan i zhvillimit për një afat 10-vjeçar, me të drejtë ripërtëritje.