“Rithemelimi” mbetet “thatë”/ KQZ ndan fondet për partitë politike, sa para morën PS dhe PD e Bashës

Komsioni Qëndror i Zgjedhjeve ka ndarë sot fondet për vitin 2024, për 11 parti politike në vendin tonë.
KQZ ka shpërndarë një fond prej 345.6 milionë lekësh, në bazë të renditjes të dalë nga zgjedhjet e fundit parlamentare. Kështu, partia më e madhe që merr më shumë fonde është Partia Socialiste, e cila ka marrë 151.4 mln lekë, e ndjekur nga PD-ja e drejtuar nga Lulzim Basha, me 106.6 mln lekë.
Kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi bëri me dije se Partia e Lirisë ka marrë 15.5 milionë lekë, PSD 12.3 milionë lekë. Ndërkohë, Nisma Thurje merr 6.2 milionë lekë, PDIU 9.753.658 dhe PBDNJ 8.180.647.
Nga ana tjetër, nuk ka asnjë “qindarkë” për “Rithemelimin” e ish-kryeministrit Sali Berisha, e po ashtu për grupimi ne Gazment Bardhit, që tashmë është bashkuar me Berishën.
Partitë i marrin paratë kur të depozitojnë raportet financiare për vitin 2023.