Haradinaj: Kurti s’mund ta ndryshojë kursin tonë, Kosova aleate e sigurisë globale

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka reaguar lidhur me deklaratat e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili tha se “Kosova është aleate e SHBA-së por se nuk mund të pajtohet me Uashingtonin për gjithçka që kërkon”.
Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj thotë se prenoncimi i Kurtit është një përpjekje dëshpëruese për të fshehur mospajtimet që ai ka vëçanërisht në fushën e sigurisë.
“E para, Kosova është aleat në çështjet e sigurisë globale dhe kjo nuk mund të ndryshojë asnjëherë, pavarësisht se kush është në krye të qeverisë. Kjo është, jo vetëm përcaktim por edhe orientim i pandryshueshëm i yni.
Deklaratat e Kryeministrit se, jo për gjithçka pajtohemi me Shtetet e Bashkuara, janë përpjekje dëshpëruese të tij për të fshehur mospajtimet e tij, pikërisht aty ku nuk duhet, në sferën e sigurisë.
Për sigurinë, nuk mund të ketë as dallime e as mospajtime me partnerët! Siguria e Kosovës dhe Rajonit, garantohet vetëm duke qenë të bashkuar me aleatët, posaçërisht me ShBA dhe duke u bërë pjesë e NATO-s!”, ka shkruar Haradinaj më Facebook.