“Masakra e Sanatoriumit” dhe saga e vrasjeve për hasmëri mes fisit Noga e Hasanbelliu

Familjet Noga dhe Hasanbelliu janë prej vitesh në një hasmëri që ka marrë shumë jetë nga të dy krahët. Sot, Policia dhe Prokuroria e Tiranës e akuzojnë Kasandër Nogën për porositjen e vrasjes së armikut të tij Geron Hasanbelliu, në një atentat të ndodhur dy vite më parë në Tiranë.
Mirëpo, në ngjarjen që mori emrin “Masakra e Don Boskos” mbeti i vrarë gabimisht shtetasi Erion Çela dhe u plagosën të afërmit e tij, Blerim Çela, Edmond Crroj, Arben Dani dhe Azbi Selimaj.
Drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj është shprehur në një konferencë për mediat se autorët kanë gabuar shënjestër dhe kanë vrarë e plagosur aksidentalisht shtetasit e tjerë. Kasandër Noga ndodhet aktualisht në burg në Belgjikë dhe autoritetet pritet të dërgojnë atje letërporosi për ekstradim.
Si ka nisur saga e vrasjeve për hasmëri mes dy familjeve/fiseve Noga e Hasanbelliu
Në vitin 2000, Kasandër Noga është konfliktuar në qytetin e Patosit me shtetasin Gentjan (Geron) Hasanbelliu. Dy javë pas këtij konflikti, më më 19 gusht në orën16.00, Kasandër Noga dhe shoku i tij Julian Çela futen të armatosur në Spitalin e Sanatoriumit, ku ndodhej babai i vëllezërve Hasanbelliu dhe Dritan Hajdini.
Ngjarja do të merrte emrin “Masakra e Sanatoriumit” për shkak të vendit ku ndodhi dhe ashpërsisë së autorëve të krimit.
Kasandër Noga dhe Jualian Çela u kanë hequr serumet nga krahët Aqif Hasanbelliut dhe miku të tij Dritan Hajdini dhe menjëherë kanë qëlluar drejt tyre me breshëri kallashnikovi, teksa të dy personat që mbetën viktimë ishin shtrirë në krevate dhe po merrnin mjekim. Të plagosur nga plumbat mbetën Agron e Geron Hasanbelliu dhe Lavdosh Karaj.

Konflikti në qytetin e Patosit dhe kjo vrasje e dyfishtë brenda në spital, hapi siparin e një hasmërie që vazhdon prej më shumë se dy dekadash dhe ka marrë shumë jetë nga të dy fiset.
Për të marrë hak, Geroni vendosi që të qëllonte për të “larë” gjakun e babait. Dy vite nga masakra brenda spitalit, vëllezërit Geron dhe Erion Hasanbelliu organizuan një atentat në Belgjikë ku qëndronte i strehuar Kasandër Noga dhe Julian Çela.
Nga breshëria e plumbave Noga plagoset rëndë dhe miku i tij Julian Çela humb jetën. Ngjarja ndodhi më 17 Mars të vitit 2002.
Kasandër Noga u shtrua në spital dhe pas shërimit të plotë nga plagët e armëve të zjarrit, policia belge i komunikoi masën e arrestit dhe vendosi ta ekstradonte në Shqipëri, për shkak se ishte dënuar me burgim të përjetshëm për “Masakrën e Sanatoriumit”.
Menjëherë, Geroni arrin të arratiset nga qyteti i Antwerp dhe strehohet në Itali, duke ju shpëtuar autoriteteve për shtatë vite. Në vitin 2009, Geron Hasanbelliu lokalizohet dhe arrestohet nga karabinierët italianë, pasi dosja e atentatit në Belgjikë kishte mbërritur në Prokurorinë e Fierit dhe në mungesë ishte dhënë masa e sigurisë “Arrest në burg”.

Më 17 qershor të vitit 2009, ai ekstradohet nga Italia dhe katër muaj më pas, më 7 shtator 2009 u shpall i pafajshëm nga Gjykata e Fierit. Vëllai i tij, Erion Hasanbelliu u dënua me 25 vite burg. Çështja e Geronit shkoi në Gjykatën e Apelit në Vlorë dhe kjo e fundit e dënoi atë me 14 vite burg.
Katër vite pas dënimit, Geron Hasanbelliu u lokalizua nga Policia e Tiranës në “Rrugën e Barrikadave” dhe u arrestua. Po atë vit, në muajin tetor Belgjika vendosi të ekstardonte dhe të vëllanë, shtetasin Erion Hasanbelliu, në atë kohë 35 vjeç.
Nuk dihet se në ç’rrethana ky shtetas është liruar nga qelia, pasi akuzohet për përfshirje në disa ngjarje të tjera kriminale dhe atentate, në Shqipëri dhe në Belgjikë, në qytetin e Antwerp.
Mesditën e 11 qershorit 2022, Erion Hasanbelliu bie pre e një atentati me armë zjarri, teksa qëndronte përballë një hoteli në bulevardin “Adolphe Maxlaan” (Adolf Maxlan) që ndodhet në qendër të Brukselit. Ai u nënshtrua menjëherë operacionit në një nga spitalet e Brukselit dhe ja doli të mbijetonte pavarësisht se plagët që mori ishin të rënda.
Autori u zbulua shpejt nga autoritetet në Belgjikë. Ishte hasmi nga Patosi, shqiptari Kasandër Noga.
Dëshmitarët thanë se autorët ishin dy persona, por vetëm njëri kishte qëlluar në drejtim të shënjestrës. Sipas përshkrimit të bërë nga një grua dëshmitare, burri që qëlloi ishte pa flokë dhe trupmadh, duke i përngjetur imazhit të Kasandër Nogës.

Vetëm tri ditë pas këtij atentati, në orët e para të mëngjesit, policia e Vjenës ndaloi në lagjen Donaustadt (Donastad), shqiptarin Kasandër Noga, i cili po bëhej gati të kthehej në Shqipëri me fluturimin e radhës. Fluturimi u vonua enkas në Aeroportin e Vjenës nga autoritetet vendore policore, për të mos i dhënë asnjë mundësi Nogës për t’u arratisur.
Autoritetet austriake kishin gati për të një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Belgjika, pikërisht për plagosjen e Erion Hasanbelliut më 11 qershor 2022. Kasandër Noga nuk është ekstraduar ende në Shqipëri, ku e pret një përballje e re me drejtësinë.