Me inicialet e tij të gdhendura, dhurata që kryeministri Rama i bëri Zelensky-t

Kreu i qeverisë shqiptare, Edi Rama, priti sot në zyrën kryeministrore, Presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Pas shtrëngimit të parë të duarve, kryeministri shqiptar, i tregoi disa foto nga lufta në Ukrainë të vendosura në mur në brendësi të godinës.

Sapo hynë në zyrën e Ramës, ky i fundit i tregoi dhe dhuratën që kishte për Zelensky-n në një kuti ku të gdhendura ishin inicialet V.Z.

Në brendësi të kutisë ishte libri i Ramës si dhe një pikturë e bërë nga ai.

“Ky është libri im, ndërsa kjo poshtë është një pjesë nga unë,” tha Rama, dhuratë për të cilën Presidenti ukrainas e falenderoi.

Kryeministri i Shqipërisë dhe presidenti ukrainas do të zhvillojnë një takim kokë më kokë në godinën e qeverisë.

Ndërkohë kujtojmë se pak para mbërritjes në Kryeministri, Zelensky ka reaguar për vizitën e tij në Tiranë ku shprehej se do të takohej me kryeministrin Rama, të cilin e quan mik të palëkundur të Ukrainës.

Presidenti ukrainas theksoi se do të diskutojnë bashkëpunimin në mbrojtje dhe politike, mbështetjen për Formulën e Paqes dhe marrëveshjet e sigurisë.

“Sot punoj në Tiranë. Do të takoj mikun e palëkundur të Ukrainës, kryeministrin shqiptar Edi Rama dhe do të marr pjesë në samitin Ukrainë-Evropa Juglindore.

Në bisedimet tona dypalëshe me Kryeministrin dhe ekipin e tij, do të diskutojmë bashkëpunimin në mbrojtje dhe politik, mbështetjen për Formulën e Paqes dhe marrëveshjet e sigurisë. Shqipëria është një nga vendet që ka nënshkruar Deklaratën e Vilniusit të G7, të cilën ne e vlerësojmë shumë.

Ne do të diskutojmë rrugën tonë të përbashkët drejt qëllimit euroatlantik në samitin Ukrainë-Evropë Juglindore, i cili tashmë po mbahet për herë të dytë. Unë do të propozoj mbështetjen e përpjekjeve të Ukrainës për të arritur paqen e drejtë dhe të qëndrueshme, si dhe organizimin e Samitit Global të Paqes në Zvicër.

Do të zhvilloj edhe bisedime dypalëshe me pjesëmarrësit e samitit”– shkruan Zelensky në postimin e tij.

Kjo është vizita e parë e Zelensky-t në Shqipëri, i cili mbërriti në vendin tonë mbrëmjen e së martës (27 shkurt).

Back to top button
LAJMET E FUNDIT