Nga marrëdhëniet me Serbinë, tek dinari/ Lajçak takim “kokë më kokë” me Bislimin, çfarë diskutuan

Idërguari i posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak ka zhvilluar ditën e sotme një takim me kryenegeciatorin e Kosovës, Besnik Bislimi.
Gjatë takimit mes tyre në Prishtinë, temë dikutimi kanë qenë zhvillimet e fundit sa i përket marrëveshjeve mes Kosovës dhe Serbisë, e po ashtu, vendimi i Bankës Qëndrore të Kosovës për ndalimin e dinarit.
Lajçak paralajmëroi një takim të ri të kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel në ditët në vijim, duke shtuar se më 27 shkurt në Bruksel, në nivel ekspertësh u diskutua për çështjen e dinarit, por disa aspekte të rregulloresh është dashur të diskutohen me Bislimin.
“E di që kemi pasur takimin javën e kaluar në nivel ekspertësh në Bruksel. Takimi ishte konstruktiv dhe arritëm të gjenim përgjigje për disa pyetje. Por, janë disa pyetje që shkojnë përtej mandatit të këtyre ekspertëve dhe i kemi diskutuar këto çështje me Bislimin. Komunikimi ynë do të vazhdojë të planifikojë një takim të ri në ditët në vijim në nivel të kryenegociatorëve”, tha Lajçak.
Për çështjen e dinarit, BE-ja kishte thirrur një takim më 27 shkurt, në të cilin nuk kishte marrë pjesë kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, por udhëheqësit e Bankës Qendrore të Kosovës. Rregullorja e BQK-së, që parasheh vetëm euron valutën me të cilën mund të kryhen pagesat me para të gatshme, hyri në fuqi më 1 shkurt.
Shteti serb ndan miliona euro për serbët në Kosovë pasi ua paguan atyre në denarë, përmes një sistemi paralel, rrogat, pensionet dhe ndihmën shtesë.
Rregullorja është kritikuar nga BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara. Uashingtoni ka kërkuar që Kosova të shtyjë zbatimin e vendimit, duke argumentuar se ai u mor pa konsultime paraprake dhe pa marrë për bazë ndikimet te popullata serbe.