Basha niset drejt SHBA: Në OKB për të prezantuar rezolutën për rindërtimin e Ukrainës (VIDEO)

Kreu i PD-së, Lulzim Basha me anë të një video-je të postuar në rrjetet sociale, njofton se po udhëton drejt SHBA.
Basha shprehet se do të marrë pjesë në një sesion të veçantë të Kombeve të Bashkuara për Ukrainën, ku ai do të prezantojë Rezolutën për Rindërtimin e Ukrainës, e cila pak ditë më parë u miratua në Këshillin e Europës.
“Përshëndetje të dashur miq!
Jam rrugës për në New York ku do të marr pjesë në një sesion të veçantë në OKB për Ukrainën.
Aty do kem nderin të prezantoj Rezolutën për Rindërtimin e Ukrainës e cila pak ditë me parë mori dhe miratimin përfundimtar në Komitetin për Çështjet Ligjore të Këshillit të Europës.
Jam i lumtur që mu dha mundësia që edhe Shqipëria të japë një kontribut të rëndësishëm për krijimin e mekanizmit përmes të cilit Rusia sot dhe çdo agresor i mundshëm në të ardhmen, të mbahet përgjegjës edhe financiarisht për krimet dhe dëmet e shkaktuara.
Uroj që ky kontribut edhe në emër të Shqipërisë të vendosë standardet për të sotmen dhe të ardhmen, duke i shërbyer paqes dhe sigurisë në botë”, thotë Basha në videon e publikuar në Facebook.