Zbardhen debatet në grupin e Rithemelimit! Salianji kundër negociatave me PS-në: Bëmë 5 muaj sherr për t’u ulur me Ramën?! Lëvizje e gabuar

Zbardhen diskutimet në mbledhjen e grupit të Rithemelimit. Nënkryetari i ri i këtij grupimi Gazment Bardhi ka thënë se është konsultuar me Sali Berishën dhe nënkryetarët për negociatat me PS.
Nga ana tjetër Salinaji ka dalë kundër, duke thënë se kjo është një lëvizje e gabuar. Sipas Salianjit, në publik po krijohet perceptimi se aksioni opozitar prej 5 muajsh kishte qëllim që në fund, demokratët të uleshin në tryezë me Edi Ramën. Ai ka shtuar se akti që po ndërmarrin demokratët i bënte ata të pabesueshëm në sytë e publikut.
Pjesë nga debati:
Gazmend Bardhi: Siç jeni njohur nga media, ditën e premte kam pasur një ftesë nga Lindita Nikolla për t’u takuar në mënyre informale me kryetaret e grupeve për t’i dhënë zgjidhje krizës parlamentare, pasi jam konsultuar me kryetarin e partisë Berisha dhe me nënkryetaret e tjerë vendosëm të marrim pjesë…
Salianji: Vendimi për bisedimet ose “negociatat” është dëmtues për Partinë Demokratike dhe për opozitën! Perceptimi që do krijohet është që krijuam sherr për 5 muaj që të ulemi me Ramës, ne nuk mund të bëjmë sherr për t’u ulur me Ramën! Pas aksionit tonë bllokues Partia Socialiste ka ndryshuar ligjin për komisionet hetimore dhe rregulloren e Kuvendit, ndërkohë që nuk ka pasur asnjë shenjë tërheqje as në deklaratat publike të Ramës!
Rikthimi sot në konferencën e kryetareve është praktikisht rikthim në normalitet dhe në normalitet nuk kthehemi se jemi ulur me Ramën, por nëse e vendosim vetë. Nëse ju thoni që aksioni ka pasur sukses marrim vendim si grup parlamentar dhe rikthehemi, por që të hyjmë në normalitet se u ulëm me Ramën. Do krijojmë perceptim dëmtues për opozitën dhe do jemi joserioze siç ka ndodhur shpesh në këtë parti e këtë seli që radikalizohemi që të marrim vëmendjen e Ramës ndërkohë që vëmendjen dhe besimin duhet ta marrim tek qytetaret! Ky akt i sotëm na bën dhe me pak të besueshëm!
Të paktën të marrim vendim tani për tu rikthyer vetë në normalitet jo si shkëmbim se Rama u ul. Çfarë u ul Rama? A jemi ne që nuk marrim pjesë me vullnet në konferencë kryetaresh? A është qeveria në të njëjtin pozicion që thotë riformuloni kërkesat në konference kryetaresh dhe me ligjin e ri për komisionet hetimore merrini? A është qeveria që thotë që me mbarimin e afatit te komisionit bipartizan te Reformës zgjedhore do ta kalojmë tek ligjet? Çfarë fitojmë ne nga ky aksion? Po bëjmë lëvizje të gabuar dhe me pasoja…
Flamur Noka: Ne sot jemi pranuar si palë dhe si realitet politik siç e tha ambasadori i BE! Aksioni jonë pati sukses sepse ju imponuam qeverisë dhe tani do merremi me terrenin. Ata pranuan që ne jemi PD pranuan kryetarin e grupit tonë.
Salianji: Kam dy pyetje se s’bej dot me sikur, ore e quani aksionin e deritanishëm të suksesshëm pse nuk e vazhdojmë? Se dhe i suksesshëm dhe e leme sikur nuk shkon! Së dyti si qenka sukses dhe tërheqje që ne po ulemi aty ku kemi refuzuar vetë të ulemi prej 5 muajsh? Tek konferenca e kryetareve.
Se treti, si e njohën tani realitetin? Se kryetar grupi parlamentar dhe i ftuar përherë ne konferencë të kryetareve ka qenë Gazi. Jam i mendimit që po ndërmarrim lëvizje të gabuar dhe imagjino nëse do dështojë bisedimi i sotëm apo plotësimi i kërkesave, si do themi pastaj qe bëmë pak gabim se Rama ta hedh për të 100 herë.