Njëri nuk jep raketa, tjetri nuk përjashton dërgimin e ushtarëve perëndimorë: Përplasja nga distanca Scholz-Macron

1. Gjermani
Një debat dyditor në parlamentin gjerman ka përfunduar pas toneve të ashpra, polemikave dhe fajësimeve të ndërsjella mes partisë socialdemokrate të kancelarit Scholz dhe opozitës konservatore. Presioni ndaj kancelarit për ta furnizuar Ukrainën me raketa Taurus është rritur javëve të fundit.
Scholz ka thënë se nuk do t’ia vë në dispozicion këto raketa Ukrainës për shkak se ato mund të godasin caqe në Rusi, mes tjerash mund të rrëzojnë urën prestigjioze që lidhë Krimenë me Rusinë.
Opozita kërkon që Ukraina të pajiset me Taurus. Britania e Madhe është treguar e gatshme që t’i marrë raketat nga Berlini dhe t’ia dhurojë pastaj Ukrainës. Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock nuk e ka përjashtuar dërgimin e Taurusit në Ukrainë.
Më së largu në shtator 2025 në Gjermani mbahen zgjedhjet. Socialdemokratët kanë filluar të kalojnë në modusin elektoral dhe po përpiqen ta kapitalizojnë frikën e gjermanëve nga lufta, duke u prezantuar si parti e paqes, maturisë dhe diplomacisë.
Por maturi ndaj kujt? Putinit? Gazeta “Frankfurter Allgemeine Zeitung” shkruan se socialdemokratët e shpalosën flamurin e bardhë. Socialdemokratët janë tradicionalisht ateistë apo nuk kanë ndonjë respekt të madh për fenë.
Por disa prej tyre këto ditë e kanë zbuluar dashurinë për Papa Françeskun, i cili po ashtu i bëri thirrje Ukrainës të dorëzohet, të shtrijë armët dhe të valëvis flamurin e bardhë. Nga Papa Gjon Pali i Dytë (papa polak), i cili që kur e mori postin më 1978 dridhi regjimet komuniste duke u dhënë zemër njerëzve me fjalët “Mos kini frikë!”, te Papa nga Argjentina, i cili e ka dëmtuar rëndë reputacionin e tij moral me qëndrime të pavendosura ndaj Rusisë dhe me kërkesa të padrejta ndaj Ukrainës.
Ky Papë e ka gabim po aq sa ata socialdemokratë gjermanë që vullnetarisht i dridhin këmbët dhe këtë e shesin si angazhim për paqe.
2. Franca
Ndërsa deputetët socialdemokratë dhe deputetët e partnerëve të koalicionit në Berlin votuan kundër furnizimit të Ukrainës me Taurus, një raketë retorike të enjten në mbrëmje e ndezi Emmanuel Macron. Në një intervistë për televizionin TF1 dhe France 2, Macron, para se të niset për të takuar Scholzin të premten në Berlin, nuk e përjashtoi dërgimin e trupave perëndimore në Ukrainë.
“Të gjitha opsionet janë të mundshme. Për të arritur paqen në Ukrainë nuk duhet të jemi të dobët”. Macron nënvizoi se duhet marrë në konsiderim të gjitha mjetet në mënyrë që Rusia të mos fitojë luftën.
“Të duash sot paqen domethënë të mos lejosh që Ukraina të bie”. Macron është i bindur se Putini nuk do të ndalet nëse ai tolerohet në Ukrainë. Atëherë shoqëritë perëndimore duhet të përshëndeten me mënyrën e tyre të të jetuarit. (E.Robelli)