Koncensioni i Sterilizimit: SPAK përfundon hetimet, 9 të pandehur, për çfarë akuzohet Beqaj

SPAK ka përfunduar hetimet për koncesionin e sterilizimit teksa pritet t’i komunikohen akuzat të pandehurve.
Lidhur me çështjen, mësohet se ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqajt, do i komunikohet akuza të hënën. Mbi Beqajn rëndon akuza për shperdorim detyre kryer në bashkëpunim.
Të pandehur për koncesionin e sterilizimit me vlerë 100 mln euro janë Ilir Rrapaj, Klodian Rjepaj, Genc Burazeri, Marsela Serjanaj, Arben Gjata, Naile Ajazi dhe Petro Mersini, si dhe Saimir Kadiu.
Ish-ministri Ilir Beqaj ndodhet në akuzë për shperdorim detyre kryer në bashkëpunim. Për sterilizimin janë nën masën e arrestit me burg Rjepaj dhe Rrapaj, dy persona të tjerë janë nën masën e sigurisë “Arrest shtëpie” dhe 4 të tjerë nën masën “Detyrim paraqitje”.
Ilir Beqaj është zyrtari më i lartë nën akuzë për shkeljet e konstatuara me kontratën e partneritetit publik-privat të sterilizimit, pas arrestimit në gusht të këtij viti të biznesmenit Ilir Rrapaj dhe zëvendësit të tij në Ministrinë e Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj.
Hetimet 3-vjeçare të kryera nga SPAK kanë zbuluar shkelje të ligjit në procedurat e dhënies së njërit prej koncesioneve më të kushtueshme të sektorit të shëndetësisë, me qëllimin e vetëm të shpalljes fitues të kompanive të Ilir Rrapajt dhe shtetasit Italian, Umbro Staccini.
Lista e shkeljeve përmban një studim fizibiliteti me të dhëna të rreme në kundërshtim me ligjin; hartimi i kritereve në mënyrë të tillë që t’u përshtateshin gjendjes reale të kompanive të përzgjedhura paraprakisht si dhe mosveprimin e Beqajt për zgjidhjen e konfliktit të interesit mes Rrjepajt si kryetar i komisionit të koncesionit dhe Rrapajt si përfitues i tij. Shkelje ligjore janë gjetur edhe gjatë negocimit të kontratës koncesionare, që sipas gjyqtarit kanë qenë “dukshëm në favor të kompanisë së shpallur fituese, në dëm të interesave të shtetit”.