Ministrja Kumbaro pranon projektin për Sazanin: Dhëndri i Trump ka sjell dokumentet, s’dimë gjë për Zvërnecin

Ministria e Turizmit dhe të Mjedisit ka pranuar se kompania e dhëndrit të ish-presidentit Donald Trump, Jared Kushner ka paraqitur një aplikim pranë Agjencisë së Zhvillimit të Investimeve, për një projekt ambicioz që synon transformimin e ishullit të Sazanit.
Institucioni i drejtuar nga Mirela Kumbaro i ka thënë tha Zërit të Amerikës se kompania e Jared Kushner ka paraqitur një aplikim “për një projekt turistik në ishullin e Sazanit, si shumë aplikime që bëhen nga investitorë të huaj, dhe lajmi i mirë është që tanimë turizmi ka hyrë në sektorët e interesit të investitorëve të huaj, jo vetëm të shqiptarëve. Por sipas ligjit, projekti duhet të kalojë në disa shkallë shqyrtimesh, para se të merren vendime, por gjithsesi, deri sot, një projekt i tillë nuk ka ardhur ende në Ministrinë e Turizmit dhe të Mjedisit”.
Ishulli i Sazanit në jug të Shqipërisë mund të kthehet shpejt në një nga atraksionet turistike më të preferuara në Ballkanin Perëndimor. Ky është synimi i kompanisë private “Affinity Partners”, e cila planifikon të investojë 1 miliardë dollarë për transformimin e ishullit.

Ministria e Turizmit dhe të Mjedisit ka treguar se ka pasur edhe më herët kërkesa për investime në Sazan por ato janë refuzuar, sepse objektivat zhvillimore nuk janë janë konsideruar me vizionin e qeverisë shqiptare për një turizëm miqësor me mjedisin.
Ministria shprehet se “ka pasur edhe më parë interesime e kërkesa për zhvillim turistik në ishullin e Sazanit, çka padiskutim përkon në parim me ambicien tonë për ta kthyer ishullin në një xhevahir të kurorës së turizmit mesdhetar, por i kemi refuzuar, sepse objektivat zhvillimore të të interesuarve nuk i kemi konsideruar në përputhje me vizionin e një turizmi miqësor me mjedisin dhe natyrën, ekuilibër i domosdoshëm për Shqipërinë turistike të vizionit 2030”.

Kompania “Affinity Partners” planifikon gjithashtu të zhvillojë dhe Ishullin e Zvërnecit, duke synuar të prezantojë disa resorte kryesore me afro 10,000 njësi vilash dhe dhoma hoteli. Mirëpo, për këtë projekt të dytë duket se institucionet nuk kanë dijeni, edhe përse janë të hapura për investime serioze amerikane.
Ministria tha se nuk ka dijeni për një projekt në Zvërnec, duke shtuar se “çdo propozim e përpjekje për të investuar në Shqipëri është i mirësardhur. Qeveria shqiptare nuk e ka fshehur ambicien për nxitjen dhe lehtësimin e investimeve cilësore në turizmin e ekselencës dhe të hotelerisë me 5 yje, me standarte ndërkombëtare. Çdo investitor serioz që vjen, për më tepër nga vende aleate strategjike të Shqipërisë siç janë edhe SHBA-të, e ka derën të hapur për të kontribuar në rritjen cilësore të turizmit dhe të standarteve të larta në këtë sektor jetik për ekonominë e vendit”.