Hoteli 7 kate pa leje në Sarandë, gjykata liron nga qelia ish-drejtorin e Kadastrës, Andri Dhima

Gjykata e Sarandës ka liruar sot ish-drejtorin e ASHK-së Andri Dhima, i arrestuar nën akuzë për ndërtimin pa leje dhe më pas legalizimin e një hoteli 7-katësh në pronësi të ish-Drejtorit të ALUIZNI Sarandë, Mariel Murati.
Dhima u vetëdorëzua të shtunën në një nga pikat e kalimit kufitar, pasi ishte shpallur në kërkim për “shpërdorim detyre”, teksa Prokuroria kishte kërkuar “Arrest në shtëpi” për 36 vjecarin Dhima. Megjithatë, gjyqtari ka vendosur në përfundim të seancës masën e sigurisë “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” për Dhimën.
Në kërkim për këtë dosje vazhdojnë të jenë Mariel Murati, ish-Drejtor i ALUIZNI Sarandë, i dyshuar për “falsifikim dokumentash” dhe “ndërtim i paligjshëm” dhe Kozeta Statha, ish-Drejtore e ASHK Sarandë, e dyshuar për “shpërdorim detyre”. Ndaj kësaj të fundit ka një tjetër masë sigurimi aktive “Arrest në burg” prej marsit 2022, për një dosje për të cilën tashmë kanë filluar edhe proceset gjyqësore.
Më 16 mars, Gjykata la në arrest shtëpie 2 zyrtarë dhe liroi 6 të tjerë, të akuzuar për shpërdorim detyre. Nga hetimet e prokurorisë së Sarandës rezultoi se zyrtarët e Inspektoratit vendor të Mbrojtjes së Territorit, të Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së territorit dhe të Drejtorisë së Kadastrës lejuan dhe legalizuan ndërtimin pa leje të hotelit 7 katësh në pronësi të ish Drejtorit të ALUIZNI Sarandë, Mariel Murati sot drejtor i Fondit të Kujdesit Shëndetësor.
Sipas burimeve, Murati kishte marrë leje për rikonstruksionin e një objekti ekzistues të blerë nga ana e tij, por kishte ndërtuar pa leje nga fillimi një hotel me 7 kate. Hoteli i Mariel Muratit ka qenë dy herë objekt i vendosjes së sasive të eksplozivit, në 9 shkurt 2021 dhe 29 qershor 2022, ngjarje ende të pazbardhura.