Mbrojtësit e mjedisit, peticion kundër planeve për Sazanin dhe Zvërnecin, letër Presidentit

Ekspertë të mjedisit shprehin shqetësime, per planet e investimeve në Sazan dhe zvërnec.

Ata kanë hartuar një peticion, të cilin ia kanë dërguar presidentit të Shqipërisë, Begaj, bashkë me argumentet e tyre se përse ky ligj nuk duhet dekretuar.

Mirjan Topi, inxhinier mjedisi tha për Radion Evropa e Lirë se zyra e Begajt është duke e shqyrtuar peticionin e ekspertëve.

Sipas Topit, zona tokësore e ishullit të Sazanit nuk është zonë e mbrojtur, por kufiri ujor rreth ishullit është pjesë e Parkut Kombëtar Detar Sazan-Karaburun.

“Ndërtimi, zhurmat, pluhuri, problematika e mundshme me ujërat e zeza do ta rrezikojnë faunën detare. Zona e Sazanit është habitat i njohur për fokën e Mesdheut – lloj i rrezikuar në nivel global”, thotë Topi.

Ai shton se përmes ndërtimeve, shkatërrohet mundësia për të zhvilluar turizmin e natyrës.

“Akoma më shumë shqetësim përbën projekti për Zvërnecin, një ishull i vogël, pjesë e peizazhit të mbrojtur Pishporo-Nartë”, thotë ai dhe shton se “projekti në Zvërnec rrezikon së paku pesë lloje shpendësh si flamingot, që janë rezidentë, pelikani kaçurrel, dallëndyshja e detit, etj”.

Me Ligjin e ri për zonat e mbrojtura, peizazhit të mbrojtur i janë hequr disa ndarje apo nënzona. Me ligjin e mëparshëm, në zonën qendrore nuk lejohej ndërtimi, por me ndryshimet në ligj, kjo u hoq dhe tani nuk ka pengesa për të zhvilluar ndërtime.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT