“Film” aksion në Tiranë/ Trafikanti me 1 kg kokainë kërkon të përplasë policët, efektivi e qëllon (EMRI)

Një skenar i denjë për filma aksion ka ndodhur orët e vona të mbrëmjes së djeshme në kryeqytet pasi policia i është vënë pas një makine mbi të cilën kishte informacion se transportonte drogë (1 kg kokainë).

Megjithatë trafikanti i ka rrezikur jetën e efektivëve duke i dhënë shpejtësi mjetit, në këtë moment njëri nga punonjësit e policisë në vetëmbrojtje ka qëlluar dhe e ka plagosur trafikantin, i cili më pas është dërguar në Spitalin e Traumës dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Personi i plagosur quhet Enea Sulejmani dhe është plagosur në inde të buta. Plumbi nuk i ka prekur asnjë organ jetësor.

Në vendngjarje shkoi Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Së Shtetit Muhamet Rrumbullaku dhe Drejtori i Policisë së Tiranës Tonin Vocaj.

Policia dhe Prokuroria po bëjnë veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Njoftimi i plotë i Policisë

Tiranë

Sot më datë 21.03.2024, në vendin e quajtur rruga “Mihal Duri”, gjatë një operacioni policor të strukturës për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë, kanë qenë duke kryer veprime operacionale në kuadër të procedimit penal nr. 496 te vitit 2024, veprime të autorizuara nga organi i Prokurorisë Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Gjatë momentit që stuktura operacionale ka tentuar të ndalojë automjetin tip “Volkswagen Tiguan” me ngjyrë të bardhë me targë AB 780 MP, drejtuesi i automjetit nuk i është bindur urdhrave të policisë për të ndaluar dhe ka ecur mbrapsht duke rrezikuar jetën e punonjësve të policisë dhe duke përplasur me qëllim shmangien automjetin e sherbimit të policisë.

Gjatë tentativës për t’u larguar një nga punonjësit e policisë ka qëlluar me armë në drejtim të automjetit dhe për pasojë është plagosur shtetasi E. S., i cili është dërguar menjëherë në spitalin e traumës nga punonjesit e policisë dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.

Në automjet janë konstatuar dhe dy persona të tjerë të cilët janë shoqëruar në ambientet e DVP Tiranë.

Në automjet është konstatuar një pako me peshë rreth 1 kg brenda së cilës dyshohet se lende narkotike kokainë.

Janë njoftuar strukturat e AMP-se të cilat do të kryejnë veprimet hetimore nën drejtimin e Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

AMP, pas kryerjes së veprimeve të para në vendngjarje dhe sqarimit të të gjitha rrethanave do të bëjë njoftim të plotë mbi këtë ngjarje.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT