“Mrekulli që vjen familja Trump! Por boll na ka ndarë politika e deti kaq kohë prej Sazanit. Të mos na ndajë edhe paraja”

Nga Artan Xh. Duka – Botuar në DITA

Sazani e turizmi shkojnë bashkë bile ai duhet të jetë ndër xhevahirët më të spikatur të kurorës së ofertës turistike sonë. Debati këto ditë rreth tij nuk ka të bëjë nëse duhet apo jo të vijohet me turizmin atje por mënyrën se si do zhvillohet ai.

Turizmi është një industri me përfitime të shumta. Nga ato ekonomike, sociale, kulturore, marketing, imazhi, faktor paqeje e harmonie mes popujve etj.  Boll të mos tejkalohet sensi i masës dhe ai të mos cënojë barazpeshat sociale dhe ekonomike, identetin kombëtar, raportin me botën e me natyrën etj duke mbetur kurdoherë shtysë pozivite për zhvillim.

Sado magjikë numrat e vizitorëve, turizmi nuk ka pse bëhet kryefjalë dhe as të rrëmbehemi në tjetërsimin e pasurive natyrore në funksion të tij sa herë troket ndonjë investitor nga bota, pale ata “strategjikë” tanët! Dhe Sazani është nga ato raste që thonë matu 100 herë, pa preje njëherë se e kemi të vetëm dhe me kimet!

Mrekulli që ka interes për të deri edhe familja Trump sepse ndonse investitor është dhëndëri, e shoqja është vajza e babait.

E nuk është thjesht një miliarder por një ish-president i SHBA. Fiton apo jo në nëntor, Trump sërisht mbetet faktor me peshë në politikën botërore dhe Shqipëria, me sebepin e Sazanit, do të jetë më shumë pjesë e vëmëndjes deri dhe e familjes e rrethit të madh të tij. Dhe nëse ndodh, Sazani do të ishte preçedent për investime më tej në gjithë territorin, jo vetëm në turizëm dhe jo vetëm prej familjes Trump por dhe të tjerëve rrotull tij.

Do të ishte kryemarketing.

Mielli hua!

E thënë kjo, turizmi, në këtë rast Sazani, duhet të respektojë barazpeshat në vënd. Zhvillimi i turizmi nuk duhet të shndërrohet në mani duke i kushtuar më pak vëmëndje zhvillimit të industrisë e bujqësisë. Turizmi mund t’u japë atyre një dorë e anasjelltas por në fund të fundit shtëpia nuk mbahet me “miell hua” se jo vetëm vëndet e tjera lëvizin e nuk rrinë në vënd se turisti variacion do por edhe se si industri ai mbetet i brishtë ndaj ngjarjeve e tensioneve politike, ekonomike, tentativa të qëllimshme për sabotim imazhi, terrorizmit global etj.

Deri edhe ndërgjegjësimi i shoqërisë njerëzore mbi efektet negative mbi planetin të turizmit global për të mos përmëndur këtu raportet e popullsisë me vizitorët, sidomos të shumtë, me ndikime në përputhjen kulturore, zakonore, ndjenja e marzhinalizimit tek një pjesë e shoqërisë për të cilën turizmi shndërrohet në mollë e ndaluar etj.

Si çdo gjë e mirë edhe turizmi lyp hapa të matura duke qënë të vetëdijshëm për dinamikat e gjërave dhe daljen përpara ndryshimeve bumerang që cënojnë vetë perceptimin e botës ndaj turizmit shqiptar. Iimazhi i keq që mund të provokojë ngutja është më mbresëlënës se ai pozitiv e përhapet më shpejt gojarisht.

Nga ana tjetër, Shqipëria nuk është treg i stërmadh për të lejuar turizëm masiv me “bukë me vete” me efekte plot pas por ndërkohë është e vogël për të “kopsitur” e rrethuar me gardhe ato pak pasuri natyrore mbresëlënëse me komplekse elitare që shndërrohen në tokë të “xanun” për shqiptarin e thjeshtë dhe që kur ngrihen nga të huajt, kanë edhe efekte të diskutueshme ekonomike sepse edhe fitimet dalin jashtë.

Mbi të gjitha duhet të respektohet natyra si pasuri e pazëvëndësueshme dhe që ia kemi detyrim brezave më tej. Dhe kjo vihet në dyshim kur shikon arnime pas arnimesh të ligjeve për zonat e mbrojtura qofshin natyrore, historike etj.

Butrinti vetëm shëmtohet me ndërtime rreth tij. Aeroporti i Vlorës duhej të ishte bërë gjetiu jo vetëm se i hymë në pjesë pelikanit kaçurrel apo qeros apo zogjve të tjerë por dhe se është mu në buzë të detit dhe ngrohja globale vetëm rrit nivelin e detit etj.

Elita, komoditeti apo veçantia që nuk ka çmim!

Mbi të gjitha, ajo që qytetari shqiptar pret dhe meriton është transparenca. Qoftë në rastin e Butrintit, gjiret e portet kudo në bregdet, Sazani vetë etj. Qeveria e ka detyrim atë. Ndryshe, edhe një gjë e mirë, fillon e shihet me dyshim pastaj, konspiracioni bën të vetën dhe kur fillon zallamahia, më mirë syri se nami thonë.

Sazani nuk duhet të shndërrohet në një flluskë elitare për të huajt a të kamurit e ditës. Kushdo që ka dëshirë të shkojë atje, duhet të ketë mundësinë jo vetëm për t’a vizituar por dhe pushuar atje. Sazani nuk duhet të ndahet me mure e gardhe. I vetmi “gardh” duhet të mbetet pagesa përkatëse e hapur për të gjithë, si për ata që notojnë në para ashtu edhe ata që kursejnë një vit apo një jetë të tërë për pak ditë apo një fundjavë atje.

Dhe kjo lyp transparencë. Ndodhi me Melonin, ndodhi me vajzën e Trump që u shitën si arritje e marketing qeverisës sepse begenisën viset tona për pushimet e tyre por ja që  turizmi e pati “bishtin” prapa dhe kjo zor të besohet se ishte rrufe në qiellin blu për qeverinë. Janë në të drejtën e tyre të vizitojnë e investojnë por qeveria duhet të qartësojë që në fillim se kur vjen puna tek turizmi, qytetari vjen i pari.

Shqipëria ka ende shansin të shndërrohet, ndryshe nga gjitonët tanë, në një destinacion i preferuar për turizmin ekologjik, rural, sportiv etj. “Elitarët” nuk vijnë për hotele me 5 yje se kalojnë jetën në to, por për natyrë me 5 yje dhe kjo nënkupton sa më pak betonizim, sa më pak degradim e qethje të gjelbërimit, trëmbje e faunës apo kositje e florës unike etj.

E mbi të gjitha, ata vijnë jo thjesht të theken në diell e larg syve të banorëve por të takohen e kuptojnë ata e të shkuarën e tyre. Të përjetojnë të ndryshmen, të shijojnë guzhinën shqiptare dhe jo të lexojnë shkrime mediash që reklamojnë ndikimet e guzhinës italiane apo greke(!) në të, të dëgjojnë muzikën e shohin vallen tonë unike e jo të bredhin në bregdet e dëgjojnë muzikën nga vëndet që vijnë(!), të shohin ndërtesa e sheshe tipike tonat dhe jo kopje patetike të “manhatizimit”  të shesheve e rrokaqiejve të tyre, bare e restorante që asgjë nuk i lidh me trashëgiminë nga emri, menuja, muzika etj.

Elita kërkon uniken dhe kjo nuk është punë komoditeti e salltaneti por “virgjërie” kombëtare nga mikpritja e mirënjohur shqiptare ndaj të huajve që nuk ka gardh që i ndan në kompleks, natyra rrotull, kultura etj. Sazani, nëse është e thënë, do kujdesin më të madh. E kemi unik dhe me të të gjitha vezët janë në një shportë. Boll na ka ndarë politika e deti kaq kohë prej tij. Të mos na ndajë edhe paraja tani. Boll u bë deti kos!

 

Back to top button
LAJMET E FUNDIT