Kryebashkiakët, të dy në burg, kush do e drejtojë Himarën

Arrestimi nga SPAK i kryetarit në detyrë të Bashkisë së Himarës, Jorgo Goro, ka hapur një ngërç administrativ, se kush do merret tashmë me punët e qytetit.

Po ashtu në burg është kryetari i zgjedhur i bashkisë së Himarës, Fredi Beleri. GjKKO vendosi më 5 mars që të shpallë fajtor për korrupsion aktiv në zgjedhje dhe e dënoi atë me 2 vjet burg.

Në këto kushte drejtimi mbetet në “dritë hije”, pasi edhe pse i arrestuar Jorgo Goro vijon të jetë legjitim në detyrë, deri në një vendim të mundshëm për shkarkimin.

Çfarë thotë ligji i ndryshuar në 2015 për qeverisjen vendore:

Z.Goro duhet të japë dorëheqjen ose të shkarkohet nga Këshilli i Ministrave.

Pas kësaj, sipas legjislacionit shqiptar një nga format për të zgjidhur ngërçin është që këshilli bashkiak të mblidhet për të mandatuar një nga dy nënkryetarët për të drejtuar bashkinë.

Në këtë rast mazhoranca (Partia Socialiste) ka 13 vota, ndërsa koalicioni (Bashkë Fitojmë) ka 8 vota.

Roli i prefektit dhe fuqia e tij mbi kryebashkiakët:

Me firmën e kryeministrit, Edi Rama, Vangjel Tavo pak ditë më parë u emërua prefekti i qarkut të Vlorës.

Ky i fundit ka qenë më herët deputet dhe ministër i Shëndetësisë në qeverisjen e “Berisha 2”.

“Propozon pranë ministrit përgjegjës për çështjet vendore shkarkimin e kryetarit të bashkisë pjesë e qarkut përkatës në rast të kryerjes së shkeljeve të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve”, thuhet në nenin 8 të ligjit aktual numër NR. 107/2016, “PËR PREFEKTIN E QARKUT”.

Në qarkoret e PS, PD dhe mediave greke është aluduar shumë se, Vangjel Tavo do të jetë drejtuesi de facto i bashkisë Himarë, dhe për këtë sipas mediave greke ka një marrëveshje të fshehtë mes Tiranës dhe Athinës.

Pritet dhe vendimi i gjykatës së Apelit për Fredi Belerin:

Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi më 5 mars që të shpallë fajtor, Fredi Belerin për korrupsion aktiv në zgjedhje dhe e dënoi atë me 2 vjet burg.

Tashmë ”topi” në gjyqin e Belerit i mbetet gjykatës së Apelit në rast se do lërë në fuqi vendimin e GJKKO apo do e ndryshoj.

Akuzat e SPAK për kryebashkiakun e zgjedhur Fred Belerin dhe për kryetarin në detyrë, Jorgo Goro:

Jorgo Goro akuzohet se ka firmosur për tjetërsimin e një prone rreth 5 mijë metra katrorë pa verifikuar dokumentacionin bazë.

Më pas, në bazë të këtyre dokumentave, iu dha leje ndërtimi për një kompleks turistik bashkëshortit të ish-ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka, Artan Gaçi.

Dënimi i Fredi Belerit:

Gjykata e Posaçme vendosi më 5 mars dënimin me dy vite burg për Belerin pasi është shpallur fajtor për ‘korrupsion aktiv’ në zgjedhjet lokale të 2023-it.

Çështja e kryetarit të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri u kthye në arenë përplasjesh mes Tiranës dhe Athinës.

Fredi Beleri u arrestua dy ditë para zgjedhjeve lokale të 14 majit, duke u bërë i vetmi kandidat në Shqipëri që zgjidhej në një post publik ndërsa ishte në qeli.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT