Juristi i KQZ shpjegon dy mundësitë për Himarën! Zëdhënësi i Belerit tregon nëse djali i tij do garojë për kryetar

Bashkia e Himarës ndodhet në një situatë të paprecedentë dhe jonormale, me një kryebashkiak të zgjedhur por të pabetuar që mbahet prej gati një viti në qeli dhe një kryebashkiak në detyrë, i cili fundjavën që lamë pas u arrestua me urdhër të SPAK.
Juristi i KQZ, Altin Kaziaj ka treguar dy mundësitë që janë në tavolinë për zgjidhjen e çështjes së Himarës, të cilat i takojnë Këshillit Bashkiak, në rast se vetë qeveria nuk do të pranojë të përfshihet në proces duke shkarkuar Jorgo Goron.
“Këshilli Bashkiak ka dy detyra për të bërë, ose të caktojë në rastin e parë një zëvendës kryetar të Bashkisë Himarë për të vijuar ato detyra që i janë ngarkuar me ligj kryetarit. Ose këshilli bashkiak të përundojë mandatin, të cilësojë përfundimin e mandatit dhe t’ia dërgojë atë që është vendimmarrja e tij përfaqësuesit të qeverisë në pushtetin lokal, që është Prefekti i Qarkut, i cili njofton vetë qeverinë dhe pastaj janë procedurat e tjera. Shkohet në zgjedhje të pjesshme për kryetar bashkie, pas dekretimit nga Presidenti i Republikës. Brenda 45 ditësh KQZ duhet më pas të organizojë zgjedhjet”, u shpreh Kaziaj.
I ftuar në Euronews Albania, ai theksoi se në mungesë të kryetarit vendimet i merr këshilli bashkiak i cili mund të zgjedhë kryetarin e ri, por kjo është e paqartë momentalisht sepse qeveria shqiptare ka në dorë një instrument tjetër që i jep fund anomalisë, duke shkarkuar Jorgo Goron nga posti i kryetarit dhe menjëherë shpall zgjedhje të parakohshme.
“Vendimet i merr Këshilli Bashkiak (në mungesë të kryetarit) por nuk e dimë nëse do zgjidhet kryetar apo do ketë zgjedhje të parakohshme, nëse do shkarkohet nga vetë qeveria Jorgo Goro”, vijoi Altin Kaziaj.
Ndërkohë, i ftuar në panel ishte dhe Skerdjan Dhuli, zëdhënës i Fredi Belerit. I pyetur nga gazetarja Sidorela Gjoni nëse ata janë të gatshëm për zgjedhje të reja, ai tha me bindje “patjetër që po”, por kur u pyet nëse djali i Belerit do të kandidojë në vend të të atit, ai sqaroi se këtë duhet ta vendosë koalicioni.
Dhuli aludoi gjithashtu se emërimi i Vangjel Tavos si Prefekt i ri i Vlorës është bërë nga Edi Rama me qëllim që muaj më pas ai të jetë kandidat për Bashkinë e Himarës.
“Këtë nuk e di sepse këtu duhet të diskutojmë, a do jetë kandidat i koalicionit apo i PD, nëse do jetë kandidat i partive të koalicionit kanë emra pafund. Se në rastin e Belerit ishim të gjithë dakord, sepse ishte kandidat fitues, në këtë rast për shkak të pamundësisë nuk e kemi këtë lloj luksi.
Ne kemi shumë kandidat. Edi Rama s’ka asnjë. Po ta kishte, s’do emëronte Vangjel Tavon Prefekt të Vlorës, thjesht se është grek, duke thënë që ja e vura sot prefekt dhe pastaj pas disa muajsh do e kandidoj në bashkinë e Himarës”, përmbylli Skerdjan Dhuli.