Anëtarësimi i Kosovën në KiE/ “Kërcënon” Vuçiç: Do marrim vendime serioze nëse…

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç ka reaguar për herë të parë, pasi Kosova kaloi me sukses hapin e parë për anëtarësimin në Këshillin e Europës.
Në një deklaratë për mediat, Vuçiç paralajmëroi se Serbia do të marrë “vendim serioz” për Këshillin e Evropës, nëse kjo organizatë evropiane e pranon Kosovën si anëtare, teksa shtoi se reagimi duhet të jetë i fortë.
“Ne do të vazhdojmë të flasim për Kosovën, do të marrim edhe vendime për Këshillin e Evropës. Mendoj se reagimi i Serbisë duhet të jetë i fortë, serioz dhe i përgjegjshëm”, tha Vuçiç pa shpjeguar se cili do të jetë vendimi i vendit të tij nëse Kosova bëhet anëtarja më e re e Këshillit të Evropës muajt e ardhshëm.
Me gjithë votën kundër të Serbisë dhe dy vendeve të tjera, Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës miratoi të mërkurën raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, i cili rekomandoi se Kosova i ka plotësuar kushtet për t’u bërë anëtare e plotë e Këshillit të Evropës.
Asambleja Parlamentare pritet të votojë për anëtarësimin e Kosovës në prill, dhe nëse ajo jep dritën jeshile, atëherë fjalën përfundimtare duhet ta japë Këshilli i Ministrave të Këshillit të Evropës në maj.
Serbia votoi kundër dhe synon ta vazhdojë kundërshtimin e anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë, megjithëse asaj i kërkohet të mos e kundërshtojë anëtarësimin e vendit fqinj në asnjë organizatë ndërkombëtare në përputhje me Marrëveshjen Bazike që palët e arritën në dialogut e ndërmjetuar nga BE-ja në shkurt të vitit 2023.
BE-ja thotë se Marrëveshja Bazike është ligjërisht e detyruese për Kosovën dhe Serbinë./ REL