Albin Kurti: Ambiciet e mia për kombin shqiptar janë më të mëdha sesa të Washingtonit dhe të Brukselit

Në një intervistë(i quajnë podcast sot) me ish-ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, Ditmir Bushati, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka sqaruar në një mënyrë më personale tensionin e krijuar në marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ose më saktë siç preferoi ta trajtonte ai “me Departamentin e Shtetit”.

“SHBA-të duhet të kujdesen për demokracinë në gjithë planetin dhe unë e kuptoj që ata nuk kanë mjaftueshëm kohë dhe unë gjithashtu i kuptoj që kohë ka gjithnjë e më pak. Jo vetëm për ata, por edhe për të gjithë ne. Prandaj, kur këtu shtohen edhe konsideratat gjeopolitike dhe strategjitë e caktuara, natyrisht që mund të ketë ndonjëherë edhe mospajtime më shumë në aspektin strategjik e taktik sesa parimor e vleror. Sido që të jetë unë një gjë ua kam bërë të qartë të gjithëve: As nuk pres nga SHBA-të që ta shohin Beogradin zyrtar me sytë e Albin Kurtit, por as ata nuk duhet të presin që unë ta shoh Beogradin zyrtar me sytë e Departamentit Amerikan të Shtetit.

Unë kam qenë rob lufte, i burgosur politik, unë njoh dhjetëra njerëz të cilët janë vrarë në luftë dhe i kam njohur të gjallë; e di historinë mbi mesataren e serbëve dhe të shqiptarëve për raportet e kombit shqiptar në përgjithësi, me Serbinë si shtet, në veçanti. SHBA-të dhe Serbia kanë njohje të ndërsjellë. Serbia ka kryer genocid në Kosovë. SHBA-të janë dëshmitarë, nuk janë viktimë. Ne jemi viktima. Viktima dhe dëshmitari nuk janë e njëjta gjë. Prandaj, unë besoj që Serbinë e njoh më mirë dhe nuk mund ta kem të njëjtë qëndrimin e as ndjeshmërinë, sikurse Departamenti Amerikan i Shtetit. Kjo do të thotë që duhet të bashkëbisedojmë. Marrëdhënia jonë duhet të jetë e aleatëve, partnerëve dhe miqve. Mirëpo kjo nuk do të thotë që të jemi identikë”

Një tjetër element që merr rëndësi thelbësore dhe shpjegon deri diku intensitetin e akteve të Kurtit, është pohimi prej tij se:

“Ambiciet e mia për Republikën e Kosovës dhe për kombin shqiptar janë më të mëdha se të Washingtonit dhe të Brukselit”.

Këtu kryeministri i Kosovës ka deklaruar ambicie për kombin shqiptar, diçka që lë vend për interpretime gjithfarëshe edhe për sa i përket gjeopolitikës së brendshme të shqiptarëve. Sipas Kurtit, ambicia e shqiptarëve për veten duhet të jetë më e lartë sesa ajo e të huajve për ne, ndërkohë që sa i përket marrëdhënieve me Beogradin, ai ka vënë në dukje se aktualisht Beogradi po aplikon një lloj represioni ndaj të gjithë serbëve që integrohen në Kosovë:

Nuk ka ditë të punës time që unë nuk takoj serbë, qytetarë të Kosovës e që nuk komunikoj me ta. Këtu nuk e kam fjalën për ministrin tim Nenad Rašić dhe zëvendësin e tij Radoica Radomirović. Këtu e kam fjalën dhe për serbë të tjerë. Mirëpo kërkesa e tyre e parë dhe e fundit teksa dalin nga takimi është të mos ketë fotografi, të mos ketë komunikatë dhe të mos përmenden emra.

A e dini që në veri të Kosovës vitin e kaluar me dhjetëra makina të serbëve të integruar janë gjetur të djegura? Ky është fenomen i paparë në Kosovën e pavarur. Ata kanë djegur makina të shqiptarëve më herët, tani nuk po djegin makina të shqiptarëve. Tani po djegin makina të serbëve që po integrohen. A e dini që kur kaloni kufirin Kosovë-Serbi shumë më pak cënohet a ngacmohet një shqiptar sesa një serb i integruar në institucionet e Kosovës? Pra, serbët që integrohen në sistemin tonë të Kosovës heqin të zitë e ullirit nëse vendosin të shkojnë në Serbi. Një numër i madh i serbëve të integruar në Kosovë nuk po shkojnë më në Serbi, sepse atje arrestohen…”, është shprehur ndër të tjera Kurti.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT