“Kemi femra me fëmijë”/ “Hilja” e re që përdorin shqiptarët për të qëndruar në Britaninë e Madhe

Shqiptarët duket se kanë gjetur një metodë të re për të përfituar leje-qëndrimi në Britaninë e Madhe.
“Të Sun” ka publikuar një investigim, ku raportohet se shqiptarët lidhin marrëveshje me gra shtatzënë duke regjistruar fëmijët e këtyre grave, nën emrin e tyre dhe kështu nuk mund të dëbohen nga vendi. Kjo marrëveshje lidhet në këmbim të parave që shqiptarët u paguajnë këtyre grave.
Në disa reklama në TikTok shihen njoftime ku ofrojnë shërbime “nëna shtatzënë”, që janë të gatshme t’i vendosin atësinë e një emigranti fëmijëve të tyre. Pra këto nëna të ardhshme mund të vënë emrin e një azilkërkuesi në certifikatën e lindjes së fëmijës së tyre, në mënyrë që ai të shmangin dëbimin, duke pretenduar se ka një familje në Mbretërinë e Bashkuar.
Në një reklamë shkruhet: “Kemi femra me fëmijë. Regjistroni fëmijën në emrin tuaj.”
Sipas tabloidit britanik, kur fëmija lind, në certifikatën e lindjes shkruhet emri i një emigranti ilegal shqiptar. Pastaj duke përdorur ligjet për të drejtat e njeriut, ky person aplikon për leje qëndrimi. Është një mënyrë e re për të siguruar lejen për të qëndruar në Angli dhe përdoret nga azilkërkuesit të cilëve është refuzuar nga Zyra e Brendshme dhe do të deportohen në çdo kohë.
Në tre muajt e parë të këtij viti, 700 shqiptarë janë dëbuar në vendlindje. Ndërkohë, shifrat e Home Office tregojnë se 13,714 shqiptarë kanë aplikuar për azil në vitin deri në mars 2023.