Beleri nuk do jetë kandidat i Mitsotakis në zgjedhjet europiane

Gazeta greke, “Kathimerini”, e afërt me qeverinë në Athinë, paralajmëron se Fredi Beleri nuk ka gjasë të jetë kandidat i Demokracisë së Re në zgjedhjet e reja europiane.
Përfshirja e tij në kandidaturat e Demokracisë së Re u pa si kruciale për tërheqjen e votave nga partitë e ekstremit të djathtë.
Megjithatë, Ministria e Jashtme greke tërhoqi vëmendjen se kandidimi i tij mund të çonte në ndërlikime – shkruan gazeta në fjalë.
Kandidimi i tij u përfol pak javë më parë, ndërkohë që Athina me Tiranën po negocionin një zgjidhje për situatën e krijuar nga burgosja e Belerit, kandidati që fitoi zgjedhjet lokale në Himarë.
Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e shpalli fajtor më 5 mars Belerin dhe e dënoi atë me 2 vjet burg. I akuzuari si bashkëpunëtor i tij, Pandeli Kokaveshi u dënua me 1 vit e 6 muaj burg, masë që u pezullua dhe u vendos në shërbim prove për tre vjet.
Vendimi për Belerin u mor nga trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Erjon Çela dhe anëtare gjyqtaret Irena Gjoka e Flora Hajredinaj, pas një procesi që zgjati prej rreth 6 muajsh në gjykatë.
Shpallja e vendimit u monitorua nga përfaqësues të Bashkimit Evropian, mbështetetësit e Belerit, përfaqësuesit e ambasadës greke në Tiranë si dhe gazetarë grekë.