Beleri, “sekreti i Çehovit”, i trashi dhe i holli…

Nga Muhamet Cerova
E ftoi MiçoTaqo në samit Ramën tënë atymoti… Nuk e ftoi Miçua i Taqos (!!) Një melodramë për Patriotistët dënglaxhij që flamurin e kombit e qesin fëtefët prej xhepit të pasëm të potureve edhe në garën e pulastrenëve, më njërin krah e mkrah tjetër brutoevropjanistët demoliberalë, kuislingë të çdo fuqie që ngjan të na kanosë, edhe kur dera e nevojtores na qëllon “nga Perëndimi” (!?!).
Po! Kreu i qeverisë së Greqisë, nuk e ftoi këtë tënin, në një tryezë që këmbehej veç retorikë e stërpërdorur e pa ndonjë interes të posaçëm publik as brënda vet Ballkanasve, përveç pak ngazëllimi tek elita Athinase që komikisht krekoset me pandehmën se sot e mbrapa ka në brezmek, hapsat e derës prejku, ballkanasit e vegjël e poterexhinj, mund të hyjnë në perandorine me emrin e bukur BE.
Për Miçon e Greqisë, pa sebep, na pat folur me okë, me dashuri e fjalë të nalta, ky i paftuari i tij(!)e meraklinjtë mund të klikojnë e nginjen me fotot pa fund ku, Shtatnalti Ynë, e përfshin nën sqetull Shtatvoglin kryeministër të grekëve, në dukje sikur i ka prerë kërthizën.
Ka një tregim të Çehovit (në mos gaboj), “i trashi dhe i holli” që ma sjell nërmëndje kjo dyshe , Miço-Rama (!!) Dashuri e madhe pra,”nuk jemi kondra”, aferim !
Portalnizamët e Ramës, pas çdo fotoje të kavaljerit gjestikulant, bambribum çomangave e borijeve se, medemek i gjati ynë, ka marrë rrol të liderit ballkanas e më gjerë, shihni si e nduk të parin e grekëve “sa një meze”, ky i gjati ynë “sa një deve” që, “rrnoftë se ndan ylefe”(!!).
Mosozot thuaj !
Po, le të kthehemi aty ku e nisëm, pra tek ftuesi dhe i paftuari. Edhe Miçostaqis sikurse Rama e plot liderë në këtë dynja sot, janë në majë të politkës së vëndeve respektive, si produkt i shtërzimit metastazik të sistemit demoliberal. Ama, ai që qeveris sot Greqinë, na vjen keq apo mirë neve, në artin e politikës dhe të diplomacisë, Ramën tënë “ditën e dasmës” , e dërgon për të mbushur ujë. Dhe, duhet të ngjajë pikërisht kështu që, elita politike e Shqiptarëve të kuptojnë atë që kurrë nuk mundi ta kuptojë i Pari i tyre sot se, në politikë e, veçmas në politikën e jashtëme, nuk ka sentimentalizëm por, ka interesa, vetëm interesa!
Rama, në tërë vitet e tij maje froni të shtetit, nuk ka demostruar asnjë tipar të politikanit burrshtetas, dinjitar e kompetent, përkundër “stilit” të papranueshëm të një gallataxhiu shpesh turpëronjës për atë që përfaqëson, në planin ndërkombëtar pa, lëre pastaj pseudolakoninë dhe gjestikulimin banal në sfondin e brëndshëm.
Askush nuk duhet të befasohet mes opinjonit panshqiptar nesër, kur ta shihni befas të njëjtin Ramë, krekosur e gajasur me putrën që fërkon kurrizin e Taqos së Danajve, si për t’iu thenë Patriotikasve me sorrën mbi qylaf se… eheheeej, ja mrrina more ja mrrinaaa!
Nga ana e tij Miçotaqis, megjithëse konseguent në ligësitë e ndyra, të lashta e të reja ndaj fqinjëve, i bëhet se BE-ja, po i jep rrol historik Athinës, duke e pompuar këtë dordolec të Danaidës, si lider rajonal të ballkanasve “kokëkrisur”, në proceset vijuese drejt europjanizimit (!?)
Tallje shqeto e tipit europerandorak me këtë shtatanik. Ai jo e jo por, edhe vetë “divani” perandorak i thirrur BE , nuk kanë kuptuar dot kurrë se, në Gadishullin e Ballkanit, historia ka lënë hapur aq çështje të rënda, saqë pa zgjidhjen e tyre, kurrë nuk mund të mendohet për një rend të harmonizuar hierarkik panballkanik.
Gjykata (gjykatat), ende nuk e kanë thënë fjalën e fundit për “vjedhësin e votave”, Belerin. Parimisht opinjoni, e ka lënë këtë në “dorë” të Tribunalit i cili, nuk ka tagër të gjykojë zullumet e “grekut” Progonatas, që nga 90-ta e këtej.
Ama, e tërë kjo tollovi seancash pa fund e krye, nisur qëkur s’mbahet mënd, e që askush nuk di të thotë se kur do sosë, domosdo e ka “një kleçkë”. “Ligji e ka sekretin brënda” na e thotë Çehovi i madh i Rusisë. Mos u çudit o këndonjës i këtyre radhëve në DITA, nëse një mëngjes Beleri, gjyqësisht të dalë nga ajo derë ku është drynur dhe drekën e porositur, ta shijojë në Bashkinë e Himarës, gjyqësisht dhe kjo.
Beleri, pastë fatin e tija, siç edhe Tribunali di ta navasë vet aq mirë e bukur atë “vejgën, sekretin” e Çehovit nëse ngjan kështu. Edhe patriotistët ramoidë të facebookut nukse do çjerrin faqe a tjatër gjë. Po ja, ta zëmë se ngjau kështu, e çfarë pastaj . . .?!
“Vemi nga vemi ama, kapakllinë e mban Ademi”, thotë një këngë e vëndit tim. Dhe, Ademi ynë “kapaklli”, do të na paqëtojë të gjithëve ne, Belerin kryebashkiak dhe veçmas Miçon e Danaidës, me stilin Lakedemonas :
-Emo Taqo djali se, bëre qametin dhe ti, sikur “na ra sheqeri nd’ujë” po . . . po hajt të hamë nonjë t’ëmbël se, Samitin e radhës, je i ftuar në Kavajë./Dita