Të paktën 2000 shqiptarë në muaj kanë tentuar të ikin këtë vit

Sipas statistikave, dëshira e shqiptarëve për të ikur nga Shqipëria është ringjallur sërish në vitin 2019.

Sipas të dhënave të Zyrës Europiane të Mbështetjes së Azilantëve (EASO) për periudhën janar-korrik, aplikimet për azil nga Shqipëria në një nga vendet e Bashkimit Europian ishin gjithsej rreth 14 mijë, me një rritje të ndjeshme prej 24%, në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Rreth 90% e këtyre aplikimeve janë bërë për herë të patë, ndërsa një përindje e ulët ka tentuar sërish.

Sipas këtyre të dhënave, të paktën rreth 2,000 persona në muaj kanë ikur nga vendi me qëllim që të mos kthehen më gjatë 7 muajve të parë të vitit 2019. Kjo është vetëm shifra e regjistruar, pasi shifra e atyre që zgjedhin të largohen duke mos aplikuar për azil dhe duke mos treguar që nuk kanë ndër mend që të kthehen më nuk janë evidentuar.

Rritja e tendencës për tu larguar është konstatuar që në muajt e fundit të 2018-s dhe përkon me një acarim të situatës politike në vend, teksa shqiptarët në mungesë të alternativave për t’u qeverisur duket se po zgjedhin që të largohen nga vendi.

Ritmet e ikjes krahasohen me ato të vendeve të luftës, apo në konflikte të forta, duke e renditur Shqipërinë në listën e 10 shteteve me numrin më të lartë të aplikimeve për azil.

Për shembull, në korrik kur aplikimet në BE kanë arritur një rekord historik, BE ka marrë nga gjithsej 1995 aplikime nga shqipëtarët, ndërsa kishte 6,543 aplikime të sirianëve, 5 040 aplikime nga afganët, dhe rreth 3800 aplikime nga venezuelianët.

Por, këto shtete kanë një numër shumë më të lartë popullsie, Siria 17 milionë banorë, Afganistani 38 milionë banorë, dhe Venezuela 28 milionë banorë. Për më tepër, situata në këto vende është tepër kritike pasi karakterizohet nga konfliktet dhe rreziku për jetën.

Nga ana tjetër, shumica e aplikimeve nga shqiptarët refuzohen, mesatarisht 97% e tyre. Për shembull, në korrik, vetëm 54 persona kanë marrë statusin e refugjatit, ndërsa 1470 kërkesa nuk ishin pranuar, meqë Shqipëria konsiderohet si vend i sigurt dhe për më tepër është në proces integrimi në Bashkimin Europian.

Rreth 12 mijë raste janë ende pezull nga aplikimet e shqiptarëve, sipas të dhënave nga EASO./ monitor

Back to top button
LAJMET E FUNDIT