Diplomati amerikan: Edhe Rusia, Kina dhe Turqia janë të interesuar në dialogun Kosovë-Serbi

Presidenti amerikan Donald Trump është i interesuar që t’i ndihmojë Beogradin dhe Prishtinën rreth dialogut, thotë ish-ambasadori amerikan në Serbi, Cameron Munter, transmeton Gazeta Metro.

Ish-ambasadori amerikan në Serbi ka deklaruar se me Vucicin ka diskutuar për zgjidhjen e duhur në lidhje me marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë, sipas tij presidenti serb nuk i ka shpalosur atij asnjë plan për ndarje të Kosovës apo diçka në lidhje me këto që po thuhen në disa media.

“Jo, mënyra se si kemi diskutuar me Vuçiqin, nuk ka qenë e asaj natyre, që të themi: shiko ky është plani ynë, por kemi diskutuar në atë frymë se cila është zgjidhja më e duhur. Kemi diskutuar lidhur me problemet afatgjate, siç janë problemet e përbashkëta që kanë të bëjnë me rritjen e ekonomisë, transformimin e ekonomisë, problemin demografik që krijon një ndarje të njerëzve në regjion”, tha Munter.

Munter ka thënë se presidenti serb, Aleksandar Vucic është i interesuar që dialogu me Kosovën të vazhdon, por ai thotë se tani ka interesim të madh për dialogun edhe nga Rusia, Kina e Turqia.

“Presidenti Vuçiq është i interesuar që të vazhdojë ky dialog. Ne jemi të shqetësuar që tashmë kanë filluar të ngjajnë disa gjëra, të cilat, nuk kanë ndodhur para 10 vitesh, kur unë isha ambasador këtu. Puna është kështu tani, kemi një Kinë të interesuar këtu, poashtu edhe Turqinë si dhe Rusinë që vijnë me një sërë idesh të ndryshme. Duam të sigurohemi se po e kuptojmë pozicionin e secilit prej tyre sepse kemi të bëjmë me një çështje afatgjate”, tha Munter.

Munter po thotë se dëshiron që jo vetëm të bëjnë një debat të zhurmshëm publik, por përmes një diplomacie të qetë të marrin disa përgjigje të mëdha..

“Ne do ta vazhdojmë atë, jo vetëm që të bëjmë një debat të zhurmshëm publik, por përmes një ‘diplomacie të qetë’, të marrim përgjigje në disa pyetje të mëdha – përfshirë çështjen e Kosovës dhe Serbisë”, tha Munter.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT