Politikani gjerman: Kushtet e reja, zvarritje taktike e CDU/CSU për Shqipërinë

Politikani i Të Gjelbërve, Manuel Sarrazin ka deklaruar se partia e tij do të japë miratimin për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, njëkohësisht, duke kritikuar atë që ai quajti zvarritje taktike të grupit parlamentar CDU/CSU.

Në një pronocim për Deutche Welle, Sarrazin, eksperti mbi Europën Juglindore i Të Gjelbërve, u shpreh: “Ne, Të Gjelbrit, do ta miratojmë çeljen e negociatave të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në BE. Ky vendim vjen i vonuar dhe u vonua vetëm për shkak të taktikës së zvarritjes të disa pjesëve të grupit parlamentar CDU / CSU. Të dy vendet i kanë përmbushur mjaftueshëm kushtet. BE-ja tani duhet të tregojë se është një partner i besueshëm dhe të hapë bisedimet e anëtarësimit në BE”.

Më tej Sarrazin shtoi, se “kushtet shtesë të formuluara nga koalicioni për Shqipërinë e tejkalojnë objektivin. Është e papranueshme që Shqipëria çdo vit të duhet të përmbushë kushte të reja për negociatat e anëtarësimit në BE.  Kjo nuk është vetëm e padrejtë, por edhe e padenjë për një bashkëekzistencë evropiane”.

Të Gjelbrit janë partia e tretë që ka deklaruar tashmë hapur se do ta miratojnë çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, pas miratimit të djeshëm të kërkesës së qeverisë gjermane nga grupet parlamentare CDU/CSU dhe SPD. Një “po” pritet edhe nga liberalët, ndërsa e majta deri dje ishte në mëdyshje. Vetëm  AfD, Alternativa për Gjermaninë është e mendimit se as Shqipëria dhe as Maqedonia e Veriut nuk janë gati për të çelur negociatat në BE.

Burimi: DW

Back to top button
LAJMET E FUNDIT