Ish kreu i KQZ: Dy partitë kryesore nuk duan që sistemi zgjedhor të ndryshojë

Ish kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kristaq Kume ka komentuar këtë të premte reformën zgjedhore.

Ai u shpreh, në News 24, se as Karta e Stambollit dhe as rekomandimet e OSBE/ODIHR nuk janë impementuar, duke theksuar se dy partitë e mëdha nuk e duan ndryshimine sistemit zgjedhor.

Ai shtoi se sistemi është keqmenaxhuar duke devijuar nga parimi baze i demokracisë përfaqësuese.

Kume gjithashtu theksoi se listat duhet të jenë të hapura.

Kume tha: “Jemi përpara situatës kur klasa politike nuk e ka zbatuar atë që ka marrë përsipër nga ajo që njihet si Karta e Stambollit. Nuk kemi pasqyruar dhe implementuar rekomandimet e OSBE-ODIHR.  Ky sistem zgjedhor ka treguar se ka probleme. Janë dy partitë kryesore që nuk e duan ndryshimin, por nuk janë deklaruar për këtë hapur.

Ky sistem, me 12 njësi zgjedhore që janë qarqet e Shqipërisë, ju krijon kushte që të përfitojnë nga partitë e vogla dhe ndaj nuk e duan ndryshimin. Proceset zgjedhore që janë bërë deri sot ka bërë që ne të devijohemi ndjeshëm nga parimi thelbësor që është demokracia përfaqësuese. Për mendimin tim një ndër faktorët që ka ndodhur është vetë sistemi dhe mënyra se si e kanë administruar procesin zgjedhor. Kjo është një krizë, që nuk është e votave apo e zgjedhjeve, por është një krizë e demokracisë”.

Ai shtoi: “Të gjithë së bashku, institucionet e këtij vendi, stafet akademike, specialistë dhe teknicienë duhe të bëhemi bashkë dhe të realizojmë,  të draftojmë për atë që duhet ndryshuar. Janë këto dy partitë politike, janë aktorë që kanë prodhuar këtë situatë me ndryshimet në 2008. Unë vërej se tendenca për të konvergjuar mes tyre ka filluar të ndihet. Nëse nuk ndryshon ky sistem, ne do të vazhdojmë me këtë problem. Problemi është që deputetët i cakton  kryetari i partisë.  Duhet që listat të jenë të hapura”.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT