“Futbolli nuk është për hallexhinjtë”, FSHF hesht për deklaratat fyese të Arben Dervishajt!

Arben Dervishaj i cili është një nga njerëzit e besuar dhe të afërt të Armando Dukës, si dhe anëtar i komitetit ekzekutiv në FSHF, para pak ditësh ka bërë një deklaratë fyese ndaj të gjithë tifozëve shqiptar.
Dervishaj i pranishëm në një emision sportiv deklaroi në mënyre të turpshme se “futbolli nuk është për hallexhinjtë” duke i referuar çmimeve të shtrenjta të biletave që Federata Shqiptare e Futbollit vendos për ndeshjet e kombëtares shqiptare.
Një deklaratë që ka sjellë një irritim të madh tek tifozët kuqezinjë, të cilët edhe pse gjithmonë janë ndeshur me çmime të shtrenjta, nuk janë kursyer për të paguar biletat me qëllim që të jenë në përkrahje të kombëtares shqiptare.
Ata në një deklarate zyrtare kanë kërkuar nga Federata Shqiptare e Futbollit që të distancohet nga kjo deklaratë fyese e Arben Dervishaj, por deri më tani gjithçka ka rënë në vesh të shurdhur, pasi prej dy ditësh nga thirrja e tifozëve nga FSHF nuk ka ende asnjë distancim nga kjo deklaratë.
Mos distancimi i FSHF-së nga kjo deklaratë fyese e zyrtarit të saj, tregon qartë politikën e zhvatjes që ky institucion ka për tifozët shqiptar. (TemA)