Dosja Xibraka/ Bardhi thirret në SPAK: U njoftova zyrtarisht për rifillimin e hetimeve për Olsi Ramën

Deputeti demokrat Gazment Bardhi është thirrur të mërkurën e 15 majit në SPAK si person që ka dijeni lidhur me hetimet për procedimin penal lidhur me dosjen Xibraka.
Urdhri i SPAK “Për thirrjen e shtetasit”, mban datën 7 maj 2024 në lidhje me hetimet paraprake që po zhvillohen në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Tiranë për proçedimin penal nr.88, të vitit 2024.
“Në bazë të nenit 312 të K.Pr.Penale, për nevoja të procedimit penal Nr. 88, të vitit 2024, urdhëroj paraqitjen në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, të Gazment Bardhit me adresë të punës “Deputet pranë Kuvendit të Republikës së Shqipërisë”, pasi është person që ka dijeni për rrethana të dobishme për hetimin. Shtetasi Gazment Bardhi të paraqitet para Hetuesit të Byrosë Kombëtare të Hetimit në SPAK në dt.15.05.2024, ditën e mërkurë, ora 10:00. (me vete të ketë dokument identifikimi), me qëllim pyetjen e tij si person që ka dijeni për rrethana të hetimit, në lidhje me procedimin penal nr.88, të vitit 2024, të regjistruar në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pas rifillimit të hetimeve të pezulluara në lidhje me procedimin penal nr.335/1, të vitit 2016 të regjistruar në ish-Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Për Krime të Rënda, Tiranë” thuhet në njoftim.
Pas kësaj ka reaguar vetë Bardhi, i cili ka publikuar dokumentin, duke deklaruar se është dëshmi se ai ka bërë kallëzim në SPAK kundër vëllait të kryeministrit Edi Rama, Olsi Rama.
“Pas kërkesës sime në SPAK për rinisjen e hetimeve të procedimit penal nr. 335/1 – viti 2016, që Edi Rama do të donte shumë në varrosej, sot jam njoftuar nga SPAK se çështja është riaktivizuar. SPAK më ka njoftuar zyrtarisht për rifillimim e hetimeve të pezulluara për përfshirjen e Olsit Ramës në dosjen e trafikimit të kokainës në Xibrakë. Procedimi i dikurshëm penal me nr. 335/1-2016, është regjistruar si procedimi nr. 88 – viti 2024. Për këtë çështje jam ftuar për të dhënë sqarime të metejshme në SPAK” shkruan Bardhi në një postim në facebook ku dhe publikon dhe foton e fletëthirrjes nga SPAK.