Pagoi Nuredin Dumanin me 120 mijë euro që t’i dhunonte ish-bashkëshorten/ Sa vite burg do vuajë avokati

Gjykata e Posaçme dënoi sot me dy vite burg ish avokatin Alban Bengasi. Ai u shpall fajtor për akuzën e dhunës në familje në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, pasi pagoi Nuredin Dumanin për të dhunuar ish-bashkëshorten e tij.

Me gjykim të shkurtuar, Bengasi do të vuajë 1.4 vite burg, ndërsa SPAK kishte kërkuar dënimin e tij me 4.4 vite burg.

Alban Bengasi, akuzohet për veprat penale “Dhuna në familje”, në dëm të ish-bashkëshortes së tij Blerta Bengasi (Ruçi), kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”.

Rasti i referohet ngjarjes së ndodhur më 30 janar 2020, ku rreth orës 11:15 të paradites, në Rrugën “Mihal Grameno”, Tiranë, në momentin kur Blerta Bengasi (Ruçi), ka hyrë në automjetin e saj, është dhunuar nga një person, i cili e ka goditur shumë herë me grushte në pjesën e fytyrës dhe mbrapa koke, duke i shkaktuar dëmtime në pjesën e hundës, dhe të gojës tek dhëmbët. Më pas, e dëmtuara Blerta Ruçi, ka njoftuar policinë lidhur me ngjarjen e ndodhur.

Hetimet e kryera nga SPAK, bënë të mundur identifikimin e personave që kanë bashkëpunuar për dhunën e ushtruar ndaj shtetases Blerta Ruçi, si dhe rolin e secilit person të përfshirë.

Konkretisht, Alban Bengasi për shkak të konflikteve familjare, ka qenë porositësi i aktit të dhunës, i bashkëhetuari Festim Qoli, është personi që ja ka ofruar si “punë”, të pandehurit Nuredin Dumani, dhe më pas ka mundësuar takimin ndërmjet të pandehurve Alban Bengasi dhe Nuredin Dumani.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT