“Micro Credit nuk duhej të licencohej”, Xama hedh dyshime: Kush i fitoi 10.7 milionë euro?! (SHPJEGIMI)

Ola Xama ishte e para që denoncoi skandalin e madh me Micro Credit Albania ekskluzivisht për Newsbomb.al duke zbuluar atë që ndodhte në vendin tonë. E ndërsa tashmë organet hetimore kanë nisur nga puna për të vënë para përgjegjësisë përfituesit, ajo ka bërë një postim në rrjetet sociale shpjeguar me terma ekonomikë atë që ka ndodhur me qytetarët shqiptarë.
Në facebook-un e saj, gazetarja e njohur tregon që bankat e nivelit të dytë i shitën 85 milionë euro detyrime MCA-së, ndërsa kjo e fundit i bleu për shifrën e 5.2 milionë eurove. Ajo evidenton faktin se subjekti në fjalë nuk duhej të krijohej dhe për më tepër të licencohej.
Xama ka dyshime për përfituesit e vërtetë të kësaj skeme, ndërsa humbësit e vërtetë janë qytetarët shqiptarë që kanë humbur dhe shtëpitë e tyre, qoftë dhe për kredi të papërfillshme që mund të kishin blerë.
Postimi i Ola Xamës:
Peshkaqenët e kredive.
Nuk ka asnjë vlerë sqarimi se sa ishin kreditë me probleme në vitin 2014 dhe sa u ulën. Nuk ka asnjë vlerë të sqarohen masat që u morrën dhe nuk ka asnjë vlerë të shitet për sukses ulja e përqindjes të kredive me probleme.
Pyetja kryesore që shtrohet në këtë mes është se kush fitoi dhe kush humbi nga Plani Kombëtar për Reduktimin e Kredive me Probleme? Nga të dhënat e disponueshme deri në vitin 2020, dimë që bankat e nivelit të dytë i shitën Micro Credit Albania 85 milion euro detyrime, dhe për këtë shumë u paguan 5.2 milion euro. Pra bankat rikuperuan vetëm 6.1% të detyrimeve, shumë që krahasuar me nivelin e fitimeve të tyre ( e pjesëtuar me 16 që ishte numri i bankave në atë vit) është e papërfillshme.
Bankat gjithashtu mbajnë normë më të lartë interesi për kreditë pa kolateral, pikërisht për shkak të riskut që llogaritin te këto produkte. Efekti i humbjes nga kreditë që nuk kthehen, shpërndahet te ato që performojnë mirë dhe për sa kohë sistemi ka patur fitime, niveli i kredive të këqija nuk ka qënë problem.
Kreditë mund të fshiheshin nga bilanci dhe pa licensuar kompanitë e mbledhjes së borxhit, sepse bankat në vetvete nuk rikuperuan shumë pak. Disa rritën kapitalin dhe s’ folën, pasi askush nuk dëshironte të hapte temën e korrupsionit të kredive.
Prandaj pyetja që duhet të ngrihet është se kush fitoi nga Plani i Masave? Pa dyshim që fituesit do dilnin kompanitë e mbledhjes së borxhit. Deri në vitin 2020, rezulton se vetëm subjekti MCA ka patur një fitim operativ 10.7 milion euro për portofole kredish të blera me çmimin 5.2 milion euro.
Pra rrezikun e ka marrë tjetër kush, humbjet i ka paguar banka dhe klientët e rregullt te amortizimi që i është bërë riskut te norma e interesit, dhe fitimet i merr një subjekt tjetër. A e shpjegon dot kush këtu logjikën financiare? Nëse jo, skema është ndërtuar për përfitime të një grupi njerzish, të cilët duke shfrytëzuar padijen dhe pafuqinë e qytetarëve kanë zhytur mijëra familje në varfëri!