Pse sekretari amerikan i shtetit e shmangu Shqipërinë dhe Kosovën

Nga Zeno Jahaj
I shtatëdhjeti Sekretar i Shtetit i SHBA-së, Mike Pompeo, ish officer i ushtrisë amerikane dhe kohët e fundit Drejtor i CIA-s, do të vizitojë këto ditë Italinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Greqinë, të gjitha vende të Evropës Jugëlindore. Duke anashkaluar Shqipërinë dhe duke mbikaluar Kosovën.
Si Sekretar Shteti, vizitën e tij të parë në një grup vendesh në Evropë e bëri në shkurt të këtij viti në Evropën Qëndrore: Hungari, Sllovaki e Poloni.
Vizita e tij tanishme në format grupvendesh është e dyta.
Italia, ku Pompeo fillon vizitën e tij zyrtare, është natyrisht edhe subjekt personal i tij: Pompeo është i pari Sekretar Shteti me origjinë italiane dhe sigurisht që vizita e tij në Abruzzo është edhe nostalgji prejardhjeje.
Sidoqoftë, vizita e tij në Itali përfaqëson, në radhë të parë, interesin e SHBA-së për fuqinë më të madhe të Mesdheut, një ndër aleatët më të besueshëm amerikanë në Evropë. Brenda këtij kuadri, SHBA nuk mund të mos ndjehet e shqetësuar që Italia ishte e para fuqi perëndimore që mbështeti projektin infrastrukturor të Kinës “Korridor dhe Rrugë” drejt tregjeve jetësore të eksportit kinez për në Evropë. SHBA nuk mund të mos ndjehet e shqetësuar që Kompania kineze “Huawei Technologies”, tregtari më i madh botëror në fushën e telekomunikacioneve, do të investojë në Milano, pothuajse në zemër të Evropës, 3.1 miljardë dollarë për tre vitet e ardhëshme, duke vënë në balancën e konkurencës edhe shërbimet e sigurisë kombëtare që lidhen me telefoninë celulare.
Pompeo ka çfarë t’i inkurajojë, por edhe çfarë t’i kërkojë Italisë.
Pastaj Pompeo do të hidhet në Ballkan, për të vizituar në fillim Malin e Zi, një vit pasi Presidenti Donald Trump e tronditi këtë vend duke e vënë në dyshim nëse ia vlen që NATO ta mbrojë. Mali i Zi ka ecur me standarde evropiane dhe sigurisht që e meriton mbrojtjen e NATO-s. Dy-tre vjet më parë kaloi edhe prova të vështira për të përballuar ndërhyrjen ruse që synoi devijimin e vendit më të vogël të Adriatikut nga antarësimi në NATO.
Maqedonia Veriore dhe Greqia kryen gjithashtu një kapërxim ylberi me marrëveshjen për njohjen reciproke – një peng 30 vjeçar me prapavijë qartazi ruse, që synonte gjithashtu devijimin e kësaj “Belgjike të vogël” nga antarësimi në NATO.
Gjatë viteve të fundit, në të dyja këto vende, ka referenca se Moska ka zhvilluar fushata të bashkërenduara dezinformimi, ka ushqyer organizata nacionaliste e grupe të të tipit paraushtarak kozak, ka provokuar sulm kibernetik dhe, me shumë gjasë, është përpjekur të rrëzojë qeveritë legjitime.
Subjektet ruse gëzojnë ndikim në tregjet e pasurive të patundshme dhe turizmit të disa vendeve të Ballkanit, veçanërisht në Mal të Zi dhe Bullgari. Pak vite më parë, Novaya Gazeta e Rusisë pohonte se në vitin 2012 bizneset ruse posedonin rreth 40 përqind të pasurive të patundshme në Mal të Zi, veçanërisht përgjatë bregdetit të Adriatikut, duke përfituar nga liberalizimi i vizave. Deri në vitin 2016, afërsisht një e treta e të gjitha kompanive të huaja të regjistruara dhe që operojnë në Mal të Zi ishin në pronësi të Rusisë, duke e bërë atë vendin ballkanik me investimin më të madh rus. Aktualisht, referohet se rreth 80,000 rusë zotërojnë shtëpi në Mal të Zi. Faqet e internetit lokal, të cilat publikojnë pikëpamje pro ruse shpesh të marra drejtëpërdrejtë nga Sputnik, RBTH, ose burime të tjera të informacionit rus, janë përhapur që nga viti 2015 në Serbi dhe Mal të Zi, megjithëse burimet e tyre të financimit nuk janë të qarta.
Gjeografia e Ballkanit fton edhe fuqi të tjera globale, duke rritur kështu mundësitë për ballafaqime, ndoshta jo në terma klasike ushtrish me uniformë, por gjithsesi të rrezikëshme.
Në përgjithësi, projektet kineze përqendrohen në Serbi si ekonomia më e madhe e rajonit, për projekte me vlerë më shumë se 2.5 miliardë euro. Projekti më domethënës është përmirësimi i hekurudhës Beograd-Budapest. Duke modernizuar hekurudhën, Pekini do të krijonte një korridor transporti midis Pireut në Greqi (të cilin tanimë e ka blerë) dhe Evropës Perëndimore përmes Maqedonisë së Veriut, Serbisë dhe Hungarisë. Ndërkohë, është shpallur ndërtimi i dy autostradave në Maqedoninë Veriore dhe në Mal të Zi.
Jetojmë në një epokë globale. Ballkani, si urë lidhëse, do presë edhe Kinën, edhe Evropën, edhe Turqinë, edhe Rusinë, edhe miljona refugjatë nga Lindja e Mesme, edhe radikalizmin fetar. Angazhimi i shtuar i Kinës në Ballkanin Perëndimor lëviz më shumë në këtë logjikë gjeopolitike. Pavarësisht nga statusi tashmë i njerës nga superfuqitë globale, Kina mbetet, gjithsesi, e varur apo e detyruar të ekspansionojë më shumë nga toka, sesa nga oqeanet. Në këtë kuadër, projekti infrastrukturor i saj “Korridor dhe Rrugë”, Ballkani do mund të përdoret si një brez tregtar për të hyrë në Evropën Perëndimore e për të depërtuar aty ku popullsia është më e madhe dhe interesat për mallrat e çmimet kineze të jenë në rritje.
Çka e ndërlikon problemin në linja sigurie janë huatë. Forma kryesore e bashkëpunimit ekonomik kinez në Ballkanin Perëndimor duket se është huadhënia për projekte të infrastrukturës, kryesisht në transport dhe energji. Një qasje e tillë në formën e borxheve rrezikon të krijojë paqëndrueshmëri fiskale për qeveritë në rajon. Dyshimet rriten kur shumë prej projekteve u mungon transparenca e procedurave të prokurimit. Referohet se disa prej vendeve në Ballkanin Perëndimor kanë nivele të larta të borxhit sovran deri në 70% të PBB-së së tyre (Mali i Zi ka arritur 80%). Duke marrë hua edhe më shumë kredi, ata mund të bllokohen në litarët e borxhit. Që nga viti 2018, Mali i Zi i detyrohet Kinës pothuajse 40% të borxhit të saj, ndërsa Maqedonia Veriore 20%.
Dhe më në fund, por jo për nga rëndësia, një strategji e re e Turqisë për të reformuar rolin e saj tradicional, ka rritur peshën gjeopolitike të Greqisë. Në Luftën e Ftohtë, të dy armiqtë e vjetër ishin “të dënuar” të bëheshin aleatë strategjikë, si për sigurinë e krahut jugëlindor të NATO-s, edhe për sigurinë e vet. Sot, Greqia, me lëvizjet që bën, luan së brendëshmi edhe me Evropën, edhe me SHBA-në, ndërsa Turqia, me karshillëkun e saj, mbetet përfundimisht jashtë Evropës dhe konfliktohet me SHBA-në. Të dy vendet kanë të përbashkët vetëm interesat ekonomike me Kinën e me Rusinë, jo interesat e sigurisë. Në rast konflikti midis tyre (dhe rastet nuk kanë munguar e nuk do mungojnë) nuk do të jetë as Rusia, as Kina që do t’iua heqin litarin. Ndoshta mund t’iua shtrëngojnë edhe ca më shumë.
Prandaj Sekretari Amerikan i Shtetit ka çfarë t’u inkurajojë Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut e Greqisë, ashtu siç ka edhe çfarë t’iu kërkojë këtyre vendeve.
As Shqipërisë, as Kosovës, as Serbisë, nuk do iu jepet mundësia ta presin kreun e diplomacisë amerikane. Jo se nuk kanë peshë gjeopolitike. Përkundrazi. Por ai nuk ka aq shumë ç’të inkurajojë tek këto vende. Ka shumë vetëm ç’të kërkojë. Marrëveshja Serbi-Kosovë e dëshiruar nga SHBA është në pikën zero, nëmos nën zero. Marrëveshja midis pozitës dhe opozitës në Shqipëri është gjithashtu në pikën zero, nëmos nën zero. Por Ministri i Jashtëm i një fuqie të madhe si SHBA nuk shkon në një vend pa një terren të përpunuar. Prandaj ka ngarkuar Zëvendës Asistent Sekretarin Palmer, që të përpunojë terrenin.
Prandaj, nuk ka pse të pyetet pse nuk erdhi këtë herë Sekretari Amerikan i Shtetit në Shqipëri. Pompeo do mund të vijë në Shqipëri, ashtu si edhe në Kosovë e pse jo edhe në Serbi, kur klasa politike e këtyre vendeve të tregojë përgjegjshmëri e përgjegjësi; kur të japin shenja se punojnë për stabilizimin e rajonit dhe jo për destabilizimin e tij; kur të mësohen të luajnë me rregulla sistemi dhe jo me anarki rrugësh. Shkurt, kur të kenë çfarë të ofrojnë e për çfarë të inkurajohen.