Si nisi aleanca e Vis Martinajt me Ben Ndokën? Çfarë i bëri bashkë “Mbretin e Kumarit’ dhe ish-deputetin e PS

Nuk është më një telenovelë, por një nga historitë më të pabesueshme të krimit në Shqipëri. E denjë për Narcos dhe kartelet.

Se si ata që deri dje ishin miq dhe më pas u bënë armiq, hakmarrja e përbashkët për miqtë dhe të afërmit e vrarë, duket se i bëri edhe njëherë bashkë, tashmë për të zmbrapsur kundërshtarët e tyre, të cilët kishin përvetësuar terrenin dhe po i qëllonin në pragun e dyerve të tyre.

Kjo duket se është edhe historia e Ervis Martinaj, i ashtëquajturi ‘Mbreti i Kumarit’ në Shqipëri, i zhdukur pa gjurmë që nga gushti i vitit 2022 dhe Arben Ndokës, ish-deputet i Partisë Socialiste, i cili në dhjetor të vitit 2017, kishte humbur në Lezhë, një pritë të dera e shtëpisë, vëllain Aleksandër Ndoka.

Dhe për t’u hakmarrë për humbjen e vëllait lidhi një ortakëri me Ervis Martinaj, i cili edhe ky nga ana e tij kërkonte shpagim për kundërshtarët e tij, të cilët kishin shkuar shumë lart në goditjen e tyre, duke eleminuar kohë pas kohe ushtarë të rëndësishëm të ‘Mbretit të Bixhozit’, sipas “News 24”

Apo thënë ndryshe, “i kishin prerë krahët e armatosur” Ervis Martinajt.

Por nëse deri këtu ajo që mund të bënim ishte thjesht të hamendësonim mbi atë që po ndodhte, apo të lexonim skakierën e krimit, se si ajo po rrallohej nga gurët e saj, pa kuptuar qartë se kush i lëvizte apo po kush i hante figurat në fushë.

Tashmë SPAK dhe Byroja Kombëtare e Hetimit, me prerjen së fundmi të 50 fletëarresteve, në kuadër të operacionit më të madh të ndërrmarrë ndonjëherë nga drejtësia të goditjes së grupeve kriminale, ka mundur të zbardhë disa nga ekzekutimet më të rënda, të ndodhura në Shqipëri, në harkun kohor të 15 viteve të fundit. Ngjarje të cilat kishin mbetur pa autor, por që në qendër të kësaj përplasje të përgjakshme me viktima të shumta, duket se ishin krerët më të lartë të bandave në Shqipëri, të cilët ishin bërë bashkë kundër njëri-tjetrit, me qëllim finalizimin e plotë të hakmarrjes së tyre.

Njoftimi i SPAK

Prokuroria e Posaçme ka evidentuar kryerjen e veprave penale të rënda nga 7 grupe të strukturuara kriminale me fuqi të konsiderueshme dhe me shtrirje gjeografike të aktivitetit të tyre kriminal në disa nga qytetet kryesore të vendit si Tiranë, Durrës, Vlorë, Lezhë, Fushë-Krujë dhe Rrëshen.

Por cila është lidhja e Ervis Martinaj me grupin e Arben Ndokës, dikur ish-deputet i Partisë Socialiste, i përzënë jashtë parlamentit për shkak të ligj të dekriminalizimit? Dhe çfarë i bëri ata bashkë, kundër klaneve të tjera kriminale? Kush janë këto klane, që kishin shqetësuar kaq shumë rehatinë e bosit të kumarit, aq sa të ndërmerrte një revansh, që fillimisht i duhej një ortakëri?

Sipas të dhënave, menjëherë pas vrasjes së të vëllait, Aleksandër Ndoka, mëngjesin e datës 9 Dhjetor 2017, në derën e shtëpisë së tij në Lezhë, ish-deputeti socialist Arben Ndoka nisi kërkmet e tij, se kush mund të jenë autorët e mundshëm të ekzekutimit të njeriut të tij të afërt.

Edhe pse ka dyshime lidhur mbi emra të përveçëm ai nuk është ende i bindur mbi autorin e vërtetë. Pikërisht për këtë arsye ai thërret për të bërë be disa nga personazhet e botës së krimit. Midis personazheve që iu përbetuan se nuk kishte lidhje me vrasjen e Aleksandër Ndokës ishte edhe Durim Bami, i njohur si një nga të fortët e Niklës dhe Aleksandër Deda alias Aleks Ndreka i njohur me nofkën Leksi i Druve.

Por ndërsa Arben Ndoka kishte hallet tij dhe ishte në gjuetinë për gjetjen dhe eleminimin e vrasësve të vëllait të tij, ai e kishte të pamundur ta realizonte i vetëm këtë mision. Ndaj thërret në ndihmë Ervis Martinaj, i cili edhe ky nga ana e tij, po shikonte se si po i ngushtohej laku dhe po i vriteshin bashkëpunëtorët një e nga një.

Dhe në pamundësi për të mbledhur forcat e pakësuara dhe dobësuara nga plumbat që po i korrnin kohë pas kohe të fortët të tij, ai vendos të lidhë një ortakëri me Arben Ndokën, ku pakti do të ishte, që të dy do të bashkonin fuqitë, sa herë ata do thërrisnin në armë njëri-tjetrin.

Pra një ndihmë reciproke, ku patjetër në ndihmë do vinin edhe njohjet e tyre në polici, që do i furnizonin me informacion, lidhur mbi lëvizjet e kundërshtarëve.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT