Asambleja e OKB-së miraton rezolutën për gjenocidin në Srebrenicë! Vuçiç “shpërthen”: Hapët kutinë e Pandorës

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së ka miratuar sot rezolutën për gjenocidin në Srebrenicë.
Me 84 vota “pro” është miratuar Rezoluta për Përkujtimin e Viktimave të Gjenocidit në Srebrenicë. Nga votimi i përgjithshëm vetëm 19 vota kanë qenë kundër, dhe kanë qenë 68 abstenime.
Rezoluta që u miratua mes kundërshtimit të ashpër nga serbët, dënon mohimin e gjenocidit, një gjë që vazhdimisht bëhet nga zyrtarët serbë si në Bosnje ashtu edhe në Serbi. Teksti përfundimtar i rezolutës që është hartuar nga Gjermania dhe Ruanda, dënon mohimin e gjenocidit, gjë që vazhdimisht bëhet nga zyrtarët serbë si në Bosnje ashtu edhe në Serbi.
Ambasadorja e Gjermanisë, Antje Leendertse, tha duke paraqitur rezolutën se ajo nuk është e drejtuar kundër askujt. As kundër Serbisë – anëtare e vlefshme e kësaj organizate. Ajo shënjestron vetëm autorët e gjenocidit”, tha ambasadorja gjermane.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se rezoluta është thellësisht politike. Sipas tij, rezoluta nuk ofron ripajtim në Bosnjë dhe në rajon, përkundrazi do të thellojë ndarjet. Duke bërë thirrje për kundërshtimin e rezolutës, ai akuzoi fuqitë e mëdha për trysni dhe kërcënime ndaj vendeve anëtare që nuk donin të votonin në favor të rezolutës.
Sipas tij, ky vendim do të hapë kutinë e Pandorës dhe do të propozohen dhjetëra rezoluta të tilla.
Më 11 korrik të vitit 1995, serbët e Bosnjës pushtuan Srebrenicën që ishte shpallur zonë e sigurt e mbrojtur nga Kombet e Bashkuara dhe vranë të paktën 8,000 burra dhe djem myslimanë boshnjakë.
Vrasjet e Srebrenicës ishin kulmi i përgjakshëm i luftës në Bosnjë përgjatë viteve 1992-1995, e cila pasoi shpërbërjen e ish-Jugosllavisë. Si Serbia ashtu edhe serbët e Bosnjës kanë mohuar se ka ndodhur gjenocid në Srebrenicë edhe pse kjo është vërtetuar nga dy gjykata të OKB-së.
Milorad Dodik, i cili është president i Republikës Serbe, paralajmëroi se miratimi i rezolutës mund të çojë në ndarjen e Bosnjës. Qeveria e tij tha të enjten se brenda 30 ditësh do të hartojë një marrëveshje që do t’i dërgohet entitetit tjetër të Bosnjës, Federatës së Bosnjës e Hercegovinës, për “ndarje paqësore”.
Në tekstin përfundimtar të projekt rezolutës është shtuar një deklaratë që thekson angazhimin e palëkundur të Asamblesë së Përgjithshme për ruajtjen e qëndrueshmërisë dhe unitetit të Bosnjës.