Pas Qemal Stafës, duan t’i heqin emrin Asim Vokshit

Nga Isa Ferizaj
Këto kohët e fundit, po qarkullon një ‘nismë’ gjoja e ndërmarrë nga ‘intelektualët’ e ‘populli’ i Tropojës, për heqjen e emrit të “Heroit të Popullit” Asim Vokshi, nga gjimnazi i qytetit Bajram Curri.
Qysh në fillim duhet thënë se, një ‘nismë’ e tillë, më shumë se sa është e çuditshme, është paradoksale dhe më tepër se sa është qëllimkeqe, ajo është me prapavijë të dukshme politike. Kjo lloj ‘nisme’ mund të jetë gatuar në çdo lloj kuzhine, por kurrsesi në atë kombëtare e atdhetare. Asaj që në shfaqjen e saj i vjen era ndotëse, antishqiptarizëm.
Edhe pak javë Shqipëria kujton, sepse s’ma merr mendja që ta festojë 75–vjetorin e Çlirimit nga pushtuesit nazifashistë e bashkëpunëtorët e tyre tradhtarë të Atdheut e të lirisë së tij.
‘Era’ që po fryn, sidomos tash dy vitet e fundit është një ‘erë’ krejt antikombëtare, buruar çuditërisht nga kryeformacioni politik ‘i majtë’ në vend; erë kjo e pëlqyeshme plotësisht nga formacioni tjeter politik ‘djathtist’ e, çuditërisht i pranuar diku në heshtje e, diku edhe hapur edhe nga Organizata e Veteranëve të LANÇ dhe Organizata e Familjeve të Dëshmorëve të Atdheut, pëlqyeshmeri kjo e shprehur edhe nga lëvdatat e përkëdheljet që organizatat në fjalë i bëjnë këtij kryeformacioni ‘majtist’ me veprime allafashiste të hapura.
Tashmë dihet qëndrimi e vlerësimi i PS – Rilindase dhe liderit të saj, ndaj dëshmorëve e heronjve, ndaj LANÇ dhe figurave që e udhëhoqën atë epope lavdie e nderi.
Pikërisht, në këtë vit jubile, lufta kundër LANÇ, kundër dëshmorëve e heronjve që ia falën jetën atdheut; kundër atyre që e udhëhoqën atë shfaqet dukshëm, nga një kor i përbashkët ‘majtisto-djathtist’ një prapështi e sheqerosur me tradhti kombëtare, e turpshme, indinjuese.
Dukuria e ringjallur sot e heqjes së emrave të heronjve të popullit, nuk është e re. Ajo u shfaq në 1990.
Mjafton të shikosh sot varrezat e dëshmorëve nëpër rrethet e vendit, se si janë shndërruar ato në disa grumbuj pllakëzash të thyera e, gati në rrënoja varrezash. Ky ka qenë hapi i parë kundër lavdisë e lavdimëdhenjve të ligjshëm.
Hapa të tjerë denigrues u ndërmorën nga një vit në tjetrin, LANÇ u mbulua me pluhur harrese, me lloj – lloj plehu e vreri, u derdhen mbi të gënjeshtra, falsifikime, djallëzi e trillime denigruese e fyese.
Gjatë tërë këtyre gati tri dekadave të fundit, qëndrimi ndaj historisë tonë kombëtare ka qenë guri i provës që ka ndarë kombëtarët, atdhetarët, nga ‘shqiptarët’ e pandershëm e të pavërtetë.
Më kujtohet se si pas vitit 1990, në Tropojë, kishte lindur ‘nëna’ e një nisme identike si kjo e sotmja për t’ia hequr qytetit emrin e “Heroit të Popullit” Bajram Curri, nismë që nuk gjeti kurrë jetësimin e vet, pasi ishte jomorale e, përcillte një antivlerë e turpnajë të përmasave të paimagjinueshme mbi trevën që i kishte dhuruar lirisë në të gjitha kohërat mbi 600 dëshmorë e heronj.
Ndryshimi i ‘nismës’ së sotme është se brenda nismëtarëve janë futur krejt pa i vënë në dijeni, plot emra burrash të nderuar e të urtë të Malësisë së sotme të Gjakovës, vetëm e vetëm për të përdorur trukun e gjithëpërfshirjes e të gjithëpranimit, pra për t’i dhënë asaj ‘nisme’ natyrë gjithëpopullore, asaj që është krejt e, dukshëm, antimorale e antipopullore.
Emri, jeta e vepra e “Heroit të Popullit” Asim Vokshi, në gjimnazin e qytetit Bajram Curri, i bën nder Malësisë së Gjakovës, çdo tropojani të ndershëm e të vërtetë, atdhetar e liridashës.
Ai emër ka rrezatuar ndër breza e breza të rinjsh dritën e ëndrrave të brezave të të rinjve të dalë nga dyert e asaj shkolle me histori e emër të madh.
“Heroi i Popullit” Asim Vokshi, ish nxënësi i internatit të Kolgecaj, me 1919, biri i një familjeje emërmadhe atdhetare e me tradita të larta liridashëse nga Gjakova, djali që në damarët e tij i qarkullonte edhe gjaku që e lidhte me një tjetër “Hero të Popullit” me përmasa madhështie e krenarie, siç ishte Sulejman Vokshi, Komandantit ushtarak të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, biri i veprimtares dhe atdhetares së madhe Bije Vokshi, veprimtari i paepur në shërbim të çështjes kombëtare, kundër formave anadollake të regjimit të kohës, krejt me frymë antipopullore, luftëtari për përparim shoqëror e çlirim nga kthetrat e prapambetjes, është nderi e krenaria e Kombit tonë në të gjitha rrjedhat historike të tij.
Një figurë e tillë, që fatmirësisht mban përmasa jashtëkombëtare, përmasa kontinentale, si pjesëmarrës në Luftën e Spanjës, 1936 – 1939, në vitin 1937 bëhet pjesë e grupit të shqiptarëve pjesëmarrës vullnetarë nga Shqipëria në atë luftë, si luftëtar në divizionin e internacionales italiane “Xhuzepe Garibaldi”, me funksionin e komandantit të një kompanie garibaldiane, kundër fashizmit, për lirinë e popullit spanjoll, është më shumë se nder jo vetëm për gjimnazin e qytetit Bajram Curri, por edhe për tërë trevën atdhe e liridashëse të Tropojës.
Kjo figurë historike kombëtare ra në altarin e nderit në Spanjë. Ai atje është vlerësuar e vlerësohet si një luftëtar lirie; atje ai ka emrin e madh të lavdisë, bustin e tij, emrin në rrugët e Spanjës, pavarësisht se Spanja, pas rënies së tij atje heroikisht, u sundua nga një regjim fashist, si ai i Frankos.
Atëherë, përse ne tropojanët, u dashka t’ia kalojmë edhe një regjimi të huaj fashist në një vend të huaj, në raport me qëndrimin e vlerësimin e kësaj figure të ndritur të kombit tonë?!
Emri i Asim Vokshit, në Malësinë e Gjakovës ka hedhur rrënjë në vetëdijen gjithëpopullore dhe, do të jetë më se çmenduri e një tentativë e marrë, për ta hequr nga panteoni i nderit e lavdisë së Malësisë së Gjakovës.
Një përpjekje e tillë, e ndëshkon rëndë moralisht popullin e Tropojës, ia rikthen së prapthi atij ‘rrotën e historisë’, për të disatën herë; një veprim i tillë më shumë e vetëdemaskon Tropojën e çdo tropojan në sytë e bashkëkombasve të tyre, këndej e andej Drinit; i lë edhe një njollë tjetër më shumë në trashëgiminë e tij vlerore.
Krahas emrave të heronjve të mëdhenj të Malësisë së Gjakovës, emri i Asim Vokshit është edhe një yll tjeter drite e lavdie në këtë Malësi vlerash, urtësie, atdhetarie, diturie e dritëdashëse.
Ai emër lavdimadhi heroi, është amaneti i të gjithë shqiptarëve që u flijuan për Çështjen Madhore Kombëtare, është një hallkë e fuqishme që lidh shqiptarët në shqiptarinë e tyre, që s’ka ndryshk që ta këputë, qoftë ai edhe ndryshk politik!
Nuk dua të ndalem në emra të përveçëm që mendësia e sëmurë mendon së mund t’ia zënë vendin kësaj figure krenarie e lavdie të Kombit tonë, pasi nuk është qëllimi i këtij reagimi.
Çdokush që i ka shërbyer Atdheut e Çështjes kombëtare, ka hapësira të tjera ku mund të vlerësohet e nderohet, për çka jam plotësisht dakord që të nxitet e të bëhet një gjë e tillë.
Heqja e emrave të Heronjve, si kjo e Asim Vokshit, fsheh një prapaskenë të ligë me qëllime e veprime antikombëtare. Popujt e qytetëruar, kur nuk i kanë të tillë heronj, i ‘krijojnë’ e, ne që i kemi, në këtë kohën e pseudodemokracisë, u jemi vërsulë që t’i fshijmë nga faqet e historisë.
Fatmirësisht, historinë tonë e njohin edhe popuj e pushtete të këtij kontinenti të vjetër sa lashtësia jonë.
Vetëpërdhosja e vlerave dhe e historisë së Tropojës tonë, na ngarkon me një barrë të lagur mbi kurrizin tonë, si tropojan, kurriz, që as u përkul nga kohërat që derdhen mbi të stuhi urrejtjesh e luftërash e, që s’u pa kurrë nga hasmi i tij në fushëbetejat e lavdishme liridashëse.
Sot Tropoja nuk e ka luksin që të merret me vetëpërdhosjen e saj, pasi ka mjaft plagë e dukuri që duhet t’i kapërcejë.
Ky ‘grup’ nismëtarësh intelektual, më mirë do të kishte qenë, pse jo, do të ishte në nderin e në dinjitetin e tyre njerëzor, si malësorë mandjehapur, që të projektonin daljen e kësaj zone nga varfëria e tejskajshme, nga kthetrat e makutërisë që grabit çdo ditë vlerat e saj natyrore e ekonomike; të merrte nisma që t’ia ngrinin Tropojës e tropojanëve emrin në lartësitë e ndritura të nderit, vend që e ka merituar historikisht, vetëm në saje të gjakut e të jetëve të vëna në themelet e lirisë, si pakkush nga trevat e tjera kombëtare.
Intelektualet tropojanë, kudoqofshin, nuk duhet të manipulohen nga interesat e ngushta të rrymave politike të ditës sepse, rrymat ikin nga skena politike e, faqja e zezë ngelet e shkruar në faqet e historisë, ashtu si edhe faqja e bardhë dhe e nderit.
Intelektuali i vërtetë e din dhe e ndjen se ku i preket zemra e ndjesia popullit që e ka lindur, krijuar e formuar, ndaj ai duhet të kthehet në mbrojtës të flaktë të interesave e ndjesive të popullit të vet, në misionin e vërtetë që i takon.
Përkujtimi i 60-vjetorit të hapjes së gjimnazit të qytetit Bajram Curri nën peshën e rëndë vetëvrasëse me një veprim të tillë, do ta çnderonte atë institucion me emër të mirë, do ta përdhoste rrugën e tij të nderit e të suksesit 60-vjeçar.
Me atë emër janë shkruar faqet e nderit e të arritjeve të asaj shkolle; janë ngulitur vlerat morale atdhetare tek qindra e mijëra nxënës që kanë dalë nga dyert e atij institucioni suksesor.
Lojërat politike që i përdorin intelektualët si mish për top, për qëllimet e tyre krejt antikombëtare, përçarëse e sunduese, nuk duhet të bëhen djepet ku ‘përkunden’ intelektualët e vërtetë. Intelektualët e vërtetë që s’e ndjejnë veten e tyre pjesë të grupit nismëtar të kësaj nisme, futur aty pa dijeninë e tyre, për t’u përdorur politikisht, duhet të distancohen publikisht e, ta denoncojnë e demaskojnë një veprim e qellim të tillë dashakeq.
Intelektualët e vërtetë nuk kthehen kurrë në sejmenë të verbër të taborreve politike me mendësi anadollake e obskurantiste, pasi kështu e humbasin emrin e misionin e tyre urtënor e atdhetar.
