Nga bombardimi i Ambasadës amerikane e jugu i Shqipërisë, te plani për vrasjen e Gjinushit, Imamit e Shaban Memisë: 23 provat e Izet Haxhisë, për Sali Berishën

Teksa na ndajnë shumë pak kohë nga ngritja e Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion, Krimet e Rënda kanë hapur dje letrat për ish-kryeministrin Sali Berisha.

Gati një vit më parë, Izet Haxhia dorëzoi një padi kundër ish-kryeministrit Berisha, duke e akuzuar atë për plot 23 vepra të rënda penale.

Ditën e djeshme Haxhia është thirrur në Prokurorinë për Krimet e Rënda për t’u marrë në pyetje mbi kallëzimin në fjalë.

Ai ishte i vetëm përballë prokurorëve, ku ka dhënë mbi 5 orë argumentet e tij, shoqëruar me dokumente dhe prova mbi krimet e predispozuara të kryera nga Sali Berisha.

Haxhia mwsohet do të thirret në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për të dëshmuar edhe sot dhe nesër.

Po kush janë 23 akuzat që rëndojnë mbi Berishën?

Në padi, Izet Haxhia pretendon se Sali Berisha e ka urdhëruar atë për të bombarduar Ambasadën amerikane në Tiranë, pas mosmarrëveshjeve që kishte ish-kryeministri në fund të pushtetit të parë.

Haxhia shprehet se nuk ka pranuar që ta zbatojë këtë urdhër.

Ish-truproja i Berishës e akuzon këtë të fundit edhe se qëndron të akuzës për eliminim e Azem Hajdarit dhe më pas organizimin e grushtit të shtetit të 14 shtatorit 1998, për marrjen e pushtetit me dhunë.

Gjithashtu, Haxhia akuzon Berishën për vrasjen dhe zhdukjen e biznesmenit shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha përmes SHIK-ut, nën drejtimin e Bashkim Gazidedes.

Më tej, në padi Haxhia shprehet se ish-kryeministri është përgjegjës edhe për firmat piramidale, për hapjen e depove të armëve, si dhe ka urdhëruar bombardimin e jugut të vendit.

Sipas Haxhisë, Berisha kishte planifikuar edhe vrasjen e Skënder Gjinushit, të Sabit Brokajt, të Arben Imamit dhe Shaban Memisë.

Po ashtu, në padi Haxhia akuzon ish-kryeministrin Sali Berisha se ka paguar 1,000,000 euro për ta eliminuar atë në mërgim.

Ndërkaq, një tjetër ngjarje e rëndë për të cilën Haxhia akuzon Berishën se është përgjegjës, janë për një sërë vrasjesh tragjike në rrethin e Tropojës, sikundër ishte vrasja në Qafë Luzh, ku mbeti i vrarë Shkëlqim Haklaj.

Avokati i Haxhias, Idajet Beqiri, shprehet se Berisha do merret si dëshmitar në gjyq.

“Sali Berisha me dëshirën, vullnetin dhe mbase me keqdashësinë e tij na i ka lehtësuar maksimalisht procedurat. Sali Berisha, i cili për të keqen e këtij vendi vazhdon të komandojë një opozitë rrugaçe, pa ide dhe pa asnjë vizion politik, është nismëtari i dorëzimit të mandateve nga ana e opozitës në fillimin e këtij viti. Bëri një autogol të madh.

Ai tashmë është një qytetar i zakonshëm dhe pa asnjë lloj imuniteti dhe i ka lehtësuar të gjitha procedurat për ta marrë të pandehur në çdo kohë. Nuk ka nevojë tashmë që Prokuroria e Përgjithshme të kërkojë heqjen e imunitetit të tij.

Atij do t’i mbërrijë së shpejti fletë-thirrja dhe ai do të paraqitet si Çeçua në sallën e gjyqit. Aty, pas deponimeve që do të japë, ka shumë të ngjarë të merret i pandehur dhe t’i hidhen prangat për të përfunduar si i pandehur pas hekurave si i pandehur.

Ky do të jetë dhe fillimi i punës për Byronë Kombëtare të Hetimit, e cila ndonëse nuk është formësuar, ka filluar të funksionojë. Ai që po merr në pyetje Izet Haxhinë është një nga hetuesit më të mirë që është pikëtuar të jetë në BKH, ndaj edhe ky fakt është shumë i rëndësishëm për të konfirmuar se SPAK po fillon të funksionojë”, shprehet Beqiri.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT