Dëshmia: Për cilat krime e akuzon Izet Haxhia ish-shefin e tij Sali Berisha?

Xhevdet Shehu

Izet Haxhia, ish-truproja e ish-Presidentit Sali Berisha në gjysmën e parë të viteve 1990, rikthehet në fokusin e ngjarjeve të ditës në Shqipëri. Këtë radhë Izeti është në rolin e një denoncuesi ndaj ish-shefit të dikurshëm të tij. Janë nëntë faqe  me shkrim që Izeti ka dorëzuar dje në Prokurori me 23 akuza të rënda për Sali Berishën.

Ky rigjykim ka një rëndësi të shumëfishtë. Me apo pa dashje, Izet Haxhia është kthyer në një figurë simbolike, në një pikë preferenciale si për politikën dhe për drejtësinë shqiptare pas vitit 1990. Çfarë kërkon në fund të fundit Izeti? Rihapje të një gjykimi të montuar politikisht ndaj tij për vrasjen e ish-deputetit Azem Hajdari, pas të cilit fshihen shumë enigma. Izet Haxhia tregon me gisht Sali Berishën si njeriun që nxori në pritë Azemin dhe mbi të cilin rëndojnë shumë krime të tjera të njohura e të panjohura.

Izeti si një person i brendshëm dhe thellësisht i besueshëm në ato vite, pasi pohon se është krejtësisht duarjashtë nga ajo aferë e përgjakshme dhe tejet kriminale, ka disa vite që flet dhe bërtet se cilët janë kriminelët e vërtetë të këtij vendi.

Sali Berisha është në krye të asaj liste të Izetit. Është koha që drejtësia të na e vërtetojë këtë. Paanshmërisht. Me fakte dhe dëshmi të gjalla. Sepse në sallën e gjyqit një ditë së shpejti do të jenë ballë për ballë Izet Haxhia dhe Sali Berisha…

Nuk është koha të paragjykojmë dhe të flasim qesim. Rihapja e këtij procesi është një hap shumë i rëndësishëm përpara dhe le të besojmë se do të zbardhë shumë të vërteta që nuk i dinim gjer më sot.

Izet Haxhia di shumë. Dhe ai do të flasë. Ka shumë arsye të flasë. Se është keqpërdorur dhe ka qenë dëshmitar i dorës së parë në shumë nga krimet e asaj kohe…

***

Dje është hapur sipari i regjistrimit të procedimit penal me kallëzues Izet Haxhinë kundër Sali Berishës dhe bashkëpunëtorëve të tij për një sërë krimesh. Izet Haxhia është pyetur dje për më shumë se pesë orë në Prokurorinë e Krimeve të rënda, ndërsa pyetja do të vazhdojë edhe sot e nesër. Ish-truproja e Sali Berishës e akuzon ish-shefin e tij për të paktën 23 krime, që nga vrasjet, deri në akte terroriste, vjedhje, grabitje e të tjera, krime që në të vërtetë Izeti i ka denoncuar para disa vitesh në një seri intervistash të gjata në DITA.

Rreth një javë më parë, gjykata e Tiranës kaloi për kompetencë te Krimet e Rënda dosjen për të cilën do të rigjykohet Izet Haxhia. Ky kalim te Krimet e Rënda konsiderohet një hap shumë i rëndësishëm jo vetëm për çështjen e Izet Haxhisë, por edhe për vetë sistemin e drejtësisë shqiptare, për fillimin e funksionimit të strukturave të reja të drejtësi si Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) dhe SPAK për çështje që kanë të bëjnë me zyrtarë dhe ish-zyrtarë të lartë të shtetit dhe poltikanë të niveleve të ndryshme.

Me pretendimin se vrasjet e funksionarëve publikë, nuk janë në kompetencën e prokurorisë së rrethit, dosja e vrasjes së deputetit të PD, Azem Hajdari, do të rigjykohet nga Krimet e Rënda, thotë avokati i Izetit, Idajet Beqiri.

Pas kalimit të dosjes tek Prokuroria e Krimeve të Rënda, Izet Haxhia merret për herë të parë në pyetje nga hetuesit shqiptar. Haxhia ka mbërritur në ambientet e Prokurorisë në orën 10:30 i pa shoqëruar nga avokati mbrojtës. Mësohet se do të merret në pyetje jo lidhur me vrasjen e ish-deputetit Azem Hajdari, por për një kallëzim që ai ka bërë ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, me pretendimin se ky i fundit ka ndërhyrë në procesin ndaj tij.

Izet Haxhia ka qenë truprojë e Sali Berishës, deri në vitin 1998 gjatë kohës që Berisha ka mbajtur postin e Presidentit të Republikës. Pas vrasjes së ish-deputetit të Partisë Demokratike, Haxhia u arratis për të qëndruar afro dy dekada në Turqi nga ku dhe ekstradua më 8 Maj 2018.

Kur dosja të nisë rigjykimin nga e para tek Krimet e rënda, Izet Haxhia pritet të kërkojë sërish hetimin në gjendje të lirë, siç ka bërë edhe pas ekstradimit në Shqipëri, kërkesë që u rrëzua. Po ashtu, Izet Haxhia ka kërkuar dëshminë e afro 60 personave ish-zyrtarë që kanë qeverisur në atë kohë, mes të cilëve edhe ish-presidentit Sali Berisha.

Flet Avokati Idajet Beqiri

Pas këtij kallëzimi penal shumë të rëndësishëm fillon kthesa e madhe në drejtësinë shqiptare. Për herë të parë Sali Berisha do të detyrohet të paraqitet në gjyq dhe do të përballet me ish-truprojën e tij, tashmë akuzues ndaj tij. Kjo do të ndodhë së shpejti, thotë me bindje avokati.

– Pse jeni kaq i sigurt se Berisha do të paraqitet në gjyq? – e pyes avokatin.

– Është fare e thjeshtë, më thotë ai. Sali Berisha me dëshirën, vullnetin dhe mbase me keqdashësinë e tij na i ka lehtësuar maksimalisht procedurat. Sali Berisha, i cili për të keqen e këtij vendi vazhdon të komandojë një opozitë rrugaçe, pa ide dhe pa asnjë vizion politik, është nismëtari i dorëzimit të mandateve nga ana e opozitës në fillimin e këtij viti. Bëri një autogol të madh. Ai tashmë është një qytetar i zakonshëm dhe pa asnjë lloj imuniteti dhe i ka lehtësuar të gjitha procedurat për ta marrë të pandehur në çdo kohë. Nuk ka nevojë tashmë që Prokuroria e Përgjithshme të kërkojë heqjen e imunitetit të tij. Atij do t’i mbërrijë së shpejti fletë-thirrja dhe ai do të paraqitet si Çeçua në sallën e gjyqit. Aty, pas deponimeve që do të japë, ka shumë të ngjarë të merret i pandehur dhe t’i hidhen prangat për të përfunduar si i pandehur pas hekurave si i pandehur.

Ky do të jetë dhe fillimi i punës për Byronë Kombëtare të Hetimit, e cila ndonëse nuk është formësuar, ka filluar të funksionojë. Ai që po merr në pyetje Izet Haxhinë është një nga hetuesit më të mirë që është pikëtuar të jetë në BKH, ndaj edhe ky fakt është shumë i rëndësishëm për të konfirmuar se SPAK po fillon të funksionojë.

Avokati i Izet Haxhisë, Idajet Beqiri, tha dje për DITA-n pas mbarimit të seancës së parë të pyetjeve ndaj klientit të tij se kalimi i hetimit dhe gjykimi nga Krimet e rënda i kallëzimit që ka bërë Izeti, është një ogur i mirë për drejtësinë shqiptare. Ndër 23 krimet, për të cilat Haxhia akuzon Sali Berishën,më të rëndat janë ato për vrasjet në Tropojë, zhdukja e biznesmenit Remzi Hoxha, ngjarjet e përgjakshme të pranverës 1997, afera të rënda korruptive, deri te grushti i shtetit i shtatorit 1998 e të tjera ngjarje tragjike që përfshihen në periudhën nga viti 1991 deri në vitin 1999.

Të gjitha këto çështje do të rihapen. Dhe këto fillon një epokë e re. Po fillon SPAK-u edhe për politikanët, pra për të akuzuarit më të mëdhenj si përgjegjës të kësaj gjendjeje katastrofike ku ndodhemi sot…

Të presim dhe të shpresojmë se do të ndodhë më e mira e mundshme. Shenjat e para sapo janë dhënë…

Back to top button
LAJMET E FUNDIT