Marrëveshja Shqipëri – Kosovë për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore

Akademia e Shkencave të Shqipërisë (ASHSH) dhe Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore (KKTK) kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me qëllim rritjen e kontributit akademik në procesin e vlerësimit, shpalljes dhe mbrojtjes së trashëgimisë kulturore, si dhe avancimin e mendimit dhe studimeve shkencore tematike.
Përfaqësiuesi i ASH që nënshkroi marrëveshjen ishte zëvendës kryetari, akademiku Vasil S. Tole, ndërsa KKTK u përfaqësua nga Isuf Koci, udhëheqës ekzekutiv i këtij institucioni.
Me këtë rast, ASHSH dhuroi për bibliotekën e KKTK-së rreth 150 tituj librash të fushave të ndryshme, botime të saj.
Në njoftimin për mediat theksohet se: “Të dy institucionet u dakorduan të bashkëpunojnë edhe për realizimin e kërkimeve, studimeve në fushën e trashëgimisë kulturore dhe organizimin e konferencave shkencore, tryezave dhe takimeve të ndryshme me interes për trashëgiminë kulturore”.