Vendimi në tetor, por Komisioni i Integrimit shtyn për në janar grupin negociator

Komisioni Parlamentar i Integrimit miratoi dje në unanimitet projektrezolutën e Kuvendit, i cili i kërkon Këshillit Europian hapjen e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë në BE.

Në mbledhjen e ditës së djeshme janë shtuar edhe disa nga amendimet e propozuara një ditë më parë nga ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati.

Nga 9 amendamentet e propozuara nga deputeti socialist, dy prej tyre nuk janë përfshirë në draftin përfundimtar, i cili ditën e sotme do votohet në Kuvend.

Bëhet fjalë për pikën, ku Ditmir Bushati propozon që Kuvendi t’i kërkojë Këshillit të Ministrave që të paraqesë brenda datës 31 tetor 2019 planin e punës, metodologjinë, planifikimin e burimeve njerëzore dhe financiare në mbështetje të procesit të bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Ndërsa për Komisionin Parlamentar të Integrimit, kjo datë shtyhet me tre muaj, pra në 31 janar të vitit të ardhshëm, duke vënë në pikëpyetje nëse procesi i negociatave do të hapet në mbledhjen e 17-18 tetorit të Këshillit Europian.

Pika tjetër, ku Komisioni Parlamentar i Integrimit nuk ka rënë dakord me ish-ministrin Bushati, ka të bëjë me kërkesën e këtij të fundit, që Kuvendi duhet të angazhohet në përfundimin e Reformës Zgjedhore brenda vitit 2019, në përmbushje të rekomandimeve të OSBE-ODIHR.

Ndërsa në dokumentin e Komisionit të Integrimit, kjo pikë lihet e hapur pa një datë fikse.

Ndërsa në 7 pikat e tjera amendimet e propozuara nga deputeti socialist janë pranuar nga anëtarët e Komisionit pa asnjë koment dhe kundërshti. Sakaq, sa i përket çështjes së ngritjes së institucioneve të drejtësisë së re dhe mbështetjen e dialogut partiak, ndryshimet e propozuara janë pranuar dhe reflektuar në dokumentin, që sot do të kalojë për votim në Parlament.

Kryetarja e Komisionit, Rudina Hajdari, në fjalën e saj theksoi se kjo projektrezolutë ka një rëndësi shumë të madhe për Kuvendin, pasi vjen në një moment deçiziv, vetëm dy javë para se Këshilli Europian do të marrë vendimin për hapjen ose jo të negociatave.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT