PD: Shqipëria nuk e meriton hapjen e negociatave, por Rama ka kërcënuar Europën me trazira në Ballkan

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Aldo Bumçi, deklaroi për A2 se Shqipëria nuk e meriton hapjen e negociatave për anëtarësimin në BE.
Ai shprehet se“qëndrimi i Gjermanisë u thotë shqiptarëve që e keni derën e hapur në BE”, në një kohë kur, sipas tij, “Serbia dhe Mali i Zi janë para nesh, kur edhe Maqedonia e Veriut pret hapjen e negociatave me të drejtë.
Lënia mbrapa e Shqipërisë, që do të ishte në një grup me Bosnjen dhe Kosovën, do të ishte një mesazh jo i mirë për shqiptarët”.
“Berlini ka thënë “po, Shqipëria i përket Evropës, por qeveria duhet të plotësojë 9 kushte”. Holanda e bëri të qartë qëndrimin e saj kur hapi debat për kthimin e vizave me ne, ndërsa Franca nuk është shprehur deri tani”, theksoi Bumçi.
Sipas ish-deputetit, kryeministri Edi Rama “ka kërcënuar me trazira në Ballkan nëse i hapen negociatat vetëm Maqedonisë së Veriut”.
“Në pamundësi për ta kthyer këtë vend në një hapësirë që i ngjan Europës, i ka mbetur të bëjë vetëm këto veprime të dëshpëruara”, tha Bumçi
Kur u pyet në lidhje me reformën zgjedhore, Bumçi u shpreh: “Nëse je i sëmurë rëndë, nuk nisesh dot nga makiazhi apo rregullimi i flokëve.
Sëmundja është e thjeshtë: jemi në vitin e 7 të qeverisjes së Edi Ramës, i cili qeveris i vetëm.
Ka kapur të gjitha institucionet e vendit dhe ekonomia shqiptare ka hyrë në një spirale krize”.