Meta i ankohet “Venecias”: Kuvendi iu ngriti kurth pasi e përdori politikisht raportin. Mediat krijuan kaos me titujt “Presidenti ka shkelur Kushtetutën”

Pasi Komisioni i Venecias tha qartë se presidenti shkeli  Kushtetutën me anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit dhe caktimin e një date tjetër zgjedhjesh, Ilir Meta po përpiqet të fajësoi Kuvendit dhe mediat që përcëllon lajmi se ai kishte tejkaluar kompetencat e tij.

Për këtë Meta në letrën dërguar Presidentit të Komisionit të Venecias Buquicchio, i ankohet këtij të fundit se Kuvendi e përdori politikisht këtë draft të komisionit dhe se mediat e “mbytën” me titujt që “Presidenti ka shkelur Kushtetutën” dhe “Venecia shkarkon Presidentin”.

Kjo sipas Metës krijoi kaos dhe ndasi në opinionin publik dhe mbi të gjitha duke shtuar pasiguritë për zgjidhjen e krizës së rëndë që vazhdon në Shqipëri.

Ja çfarë i shkruan Ilir Meta Presidentit të Komisionit të Venecias Buquicchio, në pikën 10 të lëtrës:

10.Kuvendi i Shqipërisë edhe pse në dukje ka adresuar 8 (tetë) pyetje me natyrë ligjore dhe kushtetuese për Komisionin e Venecias, është i interesuar vetëm për përdorimin e tij politik duke ngritur një kurth të pamerituar për Komisonin e Venecias.

Të gjithë anëtarët e Komisonit Hetimor kanë votuar përmes Rezolutës së Kuvendit për shkarkimin e Presidentit që në datën 13 qershor 2019, ndaj kjo tregon se komisioni ka nisur veprimtarinë me një përfundim të marrë paraprakisht.

Mazhoranca e përdori menjëherë projekt-opinionin për të zhvendosur vëmendjen e opinionit publik nga Raporti i OSBE/ODIHR, kushtet e vendosura për çeljen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, kriza e brendshme politike, dhe përpjekjet e pasuksesshme për të legjitimuar votimet e paligjshme të 30 qershorit.

Ende pa arritur në duart e palëve projekt-opinioni, eksponentë të mazhorancës dhe mediat pranë saj shpërndanë urgjentisht lajmet se, citojmë: “Presidenti ka shkelur Kushtetutën” dhe “Venecia shkarkon Presidentin” duke krijuar kaos dhe ndasi në opinionin publik dhe mbi të gjitha duke shtuar pasiguritë për zgjidhjen e krizës së rëndë që vazhdon në Shqipëri.

Ky projekt-opinion nuk është trajtuar dhe as pritet të trajtohet juridikisht nga Kuvendi, por vetëm politikisht, pasi ky ishte edhe qëllimi fillestar dhe i vetëm i të gjithë procesit. (TemA)

Back to top button
LAJMET E FUNDIT