Manjani: A do guxojë tani Shqipëria, ta mbajë në burg Fredi Belerin? Shqiptarët që presin letrat greke nuk do shohin më ditë të mira

Ylli Manjani, një nga personat që ka shkuar në Himarë të protestojë për lirimin e Fredi Belerit nga burgu, ka reaguar pas zgjedhjes së këtij të fundit eurodeputet.
Sipas Manjanit, meqë Beleri u zgjodh eurodeputet, tani duhet liruar nga burgu.
“Të gjithë, me përjashtim të Himarës, fituan.
Rama hoqi qafe Fredi Belerin, me dhunë por e hoqi qafe. Beleri e sfidoi burrnisht. Fitoi zgjedhjet megjithse u paraburgos dhunshëm e pa ligj. Pra me vota nuk e hoqi dot. Tashmë e ka rrugën e lirë të shpallë zgjedhjet atje dhe të mbyllë teatrin e emërimeve idiote.
Beleri, ndonëse me kosto të lartë personale, hoqi qafe pushtetin abuziv që iu sul keq dhe shumë keq. Ai sot është deputet europian.
Nuk besoj se Shqipëria politike e Ed Ramës do ketë luksin të vijojë të mbajë në burg një deputet Europian (ç’a s’bën vaki xhanëm, por nuk besoj..)
Micotaqis dhe Rama hoqën qafe njëri-tjetrin nga përplasjet virtuale. Besoj miqsia e tyre ka mbaruar.
GJKKO tani ka në tavolinë një shkak madhor për ta mbyllur këtë budallëk të sajuar trashë dhe shumë trashë ndaj Fredi Belerit. Mesa duket Kushtetuta dhe ligjet e Republikës nuk mjaftuan deri më tani për ta pushuar një gjykim të sajuar politikisht!!!
Ata që humbën janë himariotët, vullneti i të cilëve u përdhos shumë rëndë.
A do arrijnë ta shprehin këtë përdhosje në votimet e ardhshme mbetet për t’u parë. Por shembulli që ata përjetuan kur iu vodh vullneti me dhunë ishte dhe mbetet më i keqi.
****
Besoj se edhe shqiptarët që presin ende letrat greke nuk do kenë ditë më të mira, për fat të keq. Politika e shtetit të tyre ka hallin e vet këto kohë…”, shkruan Manjani.