Shtyhet gjyqi ndaj Fatmir Mediut! Çfarë ndodhi në seancën e ish-ministrit, dëshmuan edhe 5 ekspertë

Është shtyrë sërish gjyqi kundër ish-ministrit Fatmir Mediu në GJKKO, në lidhje me tragjedinë e Gërdecit.
Këtë të mërkurë ishin të pranishëm pesë ekspertë për të dhënë sqarime mbi aktin e ekspertimit ekonomiko-financiar. Ekspertët e thirrur janë Bexhed Zeqiri, Ymer Stafa, Rasim Metallari, Latif Çela dhe Mondi Hoxha. Gjatë kësaj seance ekspertët financiarë kanë kërkuar sërish kohë që të njihen me aktin financiar.
Pas debateve dhe diskutimeve të zhvilluara gjykata vendosi të ndërpresë shqyrtimin gjyqësor dhe të shtyjë seancën në një datë tjetër për t’i dhënë mundësi palëve dhe ekspertëve.
Seanca e radhës do të mbahet në datën 17 korrik, ora 09:00, teksa deri nesër në orën 16:00 palët do duhet të kenë dorëzuar pyetjet me shkrim, dhe ekspertët e thirrur nga gjykata për Gërdecin, do të duhet të jenë përgjigjur me shkrim në datë 17.
“Gjykata çmon se për shkak se akti i ekspertimit është voluminoz dhe fakti që është përpiluar nga 5 ekspertë si dhe kohen e gjatë që ka kaluar që ne 2008, u lë kohën ekspertëve që të konsultohen për shënimet dhe dokumentet e tjera. Gjykata vendosi që të procedojë me depozitimin e pyetjeve me shkrim nga palët dhe pastaj me paraqitjen e tyre po me shkrim pas konduktimit, ne kushtet kur kemi të bëjmë me grup ekspertësh, pasi përgjigja kërkon një konsultim të përbashkët me grupin e ekspertëve. Sa më sipër, gjykata vendosi qe të ndërpresë shqyrtimin gjyqësor dhe të shtyjë seancën në një datë tjetër për t’i dhënë mundësi palëve dhe ekspertëve. Ftohen palët të paraqesin pyetjet me shkrim”, thuhet më tej.