Ashpërsohen dënimet në Shqipëri, sot hyjnë në fuqi ndryshimet në Kodin Penal

Nga sot hyjnë në fuqi ndryshimet e reja të bëra në Kodin Penal, ku ka ashpërsime të dënimeve për disa vepra penale, si bllokimi i rrugës, armëmbajtja pa leje, e drejta e autorit, dhuna ndaj kafshëve (kush vret një kafshë apo e keqtrajton rrezikon deri në 2 vite burg), cënimi i sigurisë ushqimore, cënimi i sigurisë fizike të zyrtarëve apo funksionarëve publikë e dhuna për shkak të detyrës.
Ashpërsimi i Kodit Penal pritet t’i japë zgjidhje edhe situatës së krijuar që prej një viti në Unazën e Re, ku banorët protestojnë çdo ditë duke bllokuar rrugën.
Sipas ndryshimeve, bllokuesi i rrugës, vënia e pengesave ose ndalimi i qarkullimit te mjeteve te transportit automobilistik, hekurudhor, dënohet me gjobë ose rrezikon dënimin deri në 3 vite burgim.
Ndërsa për veprën penale “Goditja për shkak të detyrës”, autori rrezikon të dënohen nga 1 deri në 3 vite burgim, ndryshe nga sa parashikohej në Kodin e vjetër Penal, me gjobë deri në 2 vite heqje lirie. E ndërsa kur kjo vepër kryhet në ambientet e institucionit ku personi ushtron detyrën, Kodi i ri Penal parashikon dënimin nga 3 deri në 5 vjet heqje lirie.
Ndryshim në Kod është bërë edhe për dhunën në aktivitete sportive, ku goditja ndaj njerëzve të sportit dënohet me burgim nga 1 deri në 3 vjet burgim, e ndërsa për përsëritësit e kësaj vepre dënimi shkon deri në 5 vjet heqje lirie.
Po deri në 5 vite burgim do të dënohen edhe ata persona, të cilët gjatë ndeshjes hyjnë brenda në fushë, apo hedhin sende brenda saj.
Për “Armëmbajtjen pa leje”, Kodi i vjetër Penal parashikonte nga 3 deri në 7 vjet burgim, e ndërsa me ndryshimet e reja, dënimi parashikon nga 7 deri në 15 vjet heqje lirie.
Ashpërsim në dënim do të ketë edhe për sigurinë ushqimore, ku dënimet variojnë nga 3 deri në 25 vjet burgim.