Zëvendësi i Donald Trump kthehet në “yllin” e ri të republikanëve (bashkë me gruan)

Kandidati i republikanëve për nënpresident, senatori J.D. Vance, në fjalimin e tij në Kuvendin Kombëtar të Partisë Republikane foli mbi fëmijërinë e tij në qytetin industrial Midëlltaun të Ohajos, dhe përpjekjet e tij për të mbështetur klasën punëtore.

Senatori 39-vjeçar nga Ohajo, gjatë fjalimit në Milluaki kritikoi politikat e presidentit amerikan, Joe Biden dhe Partisë Demokrate, duke thënë se vërshimi i produkteve kineze me çmime të ulëta po dëmton fuqinë punëtore dhe klasën e mesme të Ohajos dhe shteteve fqinje si Miçigani, Viskonsin dhe Pensilvania. Këto janë shtete të rëndësishme për zgjedhjet presidenciale.

Ai tha se Shtetet e Bashkuara kanë nevojë për udhëheqës që mbështesin kompanitë amerikane, sikurse ish-presidenti Donald Trump.

Senatori Vance falenderoi Trumpin, i cili ishte i pranishëm në sallën ku po mbahej Kuvendi Kombëtar i Partisë Republikane, që e emëroi atë kandidat të tij për nënpresident, duke premtuar si ai do të punojë për avancuar agjendën e tij për ta bërë Amerikën sërish madhështore.

Në fjalimin e tij ai u përqëndrua edhe në kapërcimin e sfidave të varfërisë gjatë fëmijërisë, shërbimin e tij në ushtrinë amerikane, studimet për juridik në Universitetin Yale dhe punën e tij si një sipërmarrës i suksesshëm. Ai, gjithashtu, kritikoi “politikanë të karrierës” sikurse Biden për politikat tregtare që kanë dëmtuar familjet amerikane.

I zgjedhur në Senat rreth më pak se dy vite më parë, Vance ka kundërshtuar ndihmën ushtarake për Ukrainën dhe ka mbrojtur përpjekjet e Trumpit për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020.

Me një moshë sa gjysma e asaj të Trumpit, Vance mund të ushtrojë ndikim për dekada me radhë në Partinë Republikane.

Ai shihet si ylli i ri i republikanëve, ndërsa vëmendjes nuk i ka shpëtuar as gruaja e tij, Usha, që u shfaq krah tij.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT